ATSH/ Qeveria e Kosovës si pjesë e luftës kundër përhapjes së koronavirusit do të ndërmarrë masa më rigoroze, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndjekjes së procedurave për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Një gjë të tillë e bëri të ditur sot në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti, pas përfundimit të takimit me Komitetin për menaxhimin e COVID-19, ku tha se janë dakorduar për masa më rigoroze për ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të rrezikshme.

Ai ka bërë të ditur se për momentin nuk do të ketë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por ndjekje të masave rigoroze, ku nuk do të ketë tolerancë ndaj të gjithë atyre qytetarëve që nuk zbatojnë këto masa, e të cilat janë mbajtja e maskave, higjienës dhe distanca sociale.

Ai ka deklaruar se çdo të tretën ditë Komiteti për Menaxhimin me COVID-19 mblidhet dhe nëse edhe pas tre ditësh nuk ka përmirësim të situatës, atëherë të mërkurën do të mësohet nëse do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme apo jo.

Masat tjera nënkuptojnë që të ketë dezinfektues në çdo objekt, do të ndalohen  tubimet publike dhe ritet fetare deri në një vendim tjetër.

Hoti po ashtu bëri të ditur se të gjitha këto masa do të hidhen në votim në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

/KosovaPress/