/ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit, Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019.
Sejko tha se, “Banka e Shqipërisë ka pasur një kontribut pozitiv në forcimin e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Ky stabilitet është një parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Ndërsa Banka e Shqipërisë ka shënuar progres në implementimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit”.
Guvernatori u shpreh se, “pandemia COVID-19 dhe masat e nevojshme për kontrollin e saj, kanë dhënë një goditje të fortë mbi familjet dhe bizneset shqiptare gjatë tre muajve të fundit”. Në këto kushte theksoi Sejko, u ndërmor një reagim i shpejtë dhe i gjithanshëm i autoriteteve publike, si në planin shëndetësor dhe në atë ekonomik e social.
“Krahas masave lehtësuese fiskale, Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar, për të nxitur kreditimin dhe për të kontrolluar kostot e shërbimit të borxhit”- tha Sejko.
Ai vuri në dukje se “kjo paketë përfshiu: uljen në 0.5% të normës bazë të interesit dhe furnizimin e pakufizuar me likuiditet të sistemit bankar; lehtësimin e përkohshëm të rregulloreve bankare, për të mundësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve të kredisë për klientët në vështirësi dhe ristrukturimin konsensual të kredive për klientët me perspektiva solide biznesi, duke ndihmuar financat e bizneseve dhe rritur shanset e tyre për mbijetesë; eliminimin e kostove të operimit të sistemit të pagesave elektronike, në përgjigje të rritjes së kërkesës për këtë lloj aktiviteti; rritjen e kapaciteteve operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me para fizike”.
Guvernatori theksoi se, në përgjigje të këtyre masave, tregjet financiare vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
“Në planin ekonomik, masat e koordinuara fiskale dhe monetare kanë zbutur pjesërisht efektet negative të pandemisë. Gjithsesi, sfidat që kemi përpara mbeten serioze. Në gjykimin tonë, ekonomia shqiptare i ka premisat ta përballojë me sukses këtë goditje. Megjithatë, kjo kërkon që të gjithë aktorët publikë dhe operatorët e sektorit privat të marrin vendimet e duhura, në kohën e duhur dhe në mënyrë sa më të koordinuar”, deklaroi Guvernatori.
Duke i’u referuar ecurisë ekonomike gjatë vitit që lamë pas, Sejko tha se, “viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Aktiviteti ekonomik vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat dhe zgjerimi i shpejtë i turizmit. Rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar vitin paraardhës”.
Sipas tij, goditjet që pësuam, ngadalësuan tempin e rritjes, por nuk e devijuan ekonominë shqiptare nga trendi pozitiv i zhvillimit. Treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar mbetën në nivele të kënaqshme.
Sejko theksoi se, “inflacioni mesatar i vitit 2019 rezultoi në nivelin 1.4%. Ecuria ende nën objektiv e inflacionit, kërkoi ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare gjatë vitit 2019. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%, orientoi tregun mbi ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare në horizontin afatmesëm, si dhe furnizoi bankat me likuiditetin e nevojshëm”.
“Stimuli monetar solli uljen e çmimit të kredisë dhe nxiti rritjen e kreditimit. Në këto rrethana, kreditimi i sektorit privat përjetoi një rritje relativisht të shpejtë dhe shfaqi një shpërndarje më të mirë. Po ashtu, stimuli monetar reduktoi koston e shërbimit të borxhit për bizneset dhe familjet, si dhe krijoi premisa për një kurs më të qëndrueshëm këmbimi”- tha Guvernatori.
Guvernatori tha se, sektori bankar shqiptar vijon të mbetet financiarisht i shëndetshëm dhe ka shfaqur një dinamizëm në rritje. “Ky sektor ka qenë rentabël gjatë vitit 2019, ndërkohë që treguesit e tij të likuiditetit dhe kapitalizimit janë mbi kërkesat tona rregullatore. Po ashtu, ushtrimet e provave të rezistencës tregojnë se ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve sistemike është i kontrolluar dhe se aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është e fortë”- u shpreh Sejko.
Guvernatori gjatë fjalës së tij theksoi se, “Falë masave të marra ndër vite, raporti i kredive me probleme ra nga një maksimum prej pothuaj 25% në vitin 2014, në 8.4% në fund të vitit 2019. Banka e Shqipërisë punoi për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të KiE-së për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) dhe vijon përafrimin e mëtejshëm me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian dhe me dokumentet e Komitetit të Bazelit”.
Kreu i Bankës Qendrore vuri në dukje se, në mision të BSH-së, është nxitja e zhvillimit të sistemit të pagesave, rritja e cilësisë së kartëmonedhës, administrimi i rezervës valutore, përmirësimi e statistikave, mbështetja e integrimit europian, si dhe puna për edukimin e publikut dhe përmirësimin e komunikimit me të. e.xh//a.a/