ATSH/ -“Nuk ka asnjë arsye që të ndërpritet ushqyerja me gji në kontekstin e COVID-19”.
Shërbimi i Neonatologjisë në bashkëpunim me zyrën e UNICEF në Tiranë zhvilluan, një takim pune me neonatologë nga maternitetet në Tiranë dhe në rrethe për të diskutuar sfidat e shërbimit të neonatologjisë në kuadrin e COVID-19.
Të dhënat më të fundit shkencore dhe rekomandimet globale të OBSH dhe UNICEF për ushqyerjen me gji në kuadrin e COVID-19 u diskutuan me 25 pjesëmarrës nga të gjithë rajonet e vendit si edhe roli i rëndësishëm i personelit të materniteteve, për të mbështetur fillimin e hershëm të ushqyerjes me gji, kontaktin lëkurë me lëkurë dhe ushqyerjen vetëm me gji te fëmijëve të porsalindur, thekson zyra e UNICEF në Tiranë.
“Evidenca aktuale, mbështet plotësisht ushqyerjen me gji të fëmijëve. Kontakti lëkurë më lëkurë dhe ushqyerja ekskluzive me gji ndihmojnë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës dhe nuk ka asnjë arsye që të ndërpritet ushqyerja me gji në kontekstin e COVID-19”, shton UNICEF.
“Nëse nëna është e dyshuar apo e konfirmuar me COVID-19, rekomandohet të vazhdojë ushqyerjen me gji duke marrë masat si larja e duarve me ujë dhe sapun para dhe pas prekjes së bebit, përdorimi i maskës, respektimi i etiketës respiratore”, nënvizon UNICEF.