ATSH/ -“Që prej 5 vitesh, Shqipëria ka tashmë një kornizë strategjike të mirëpërcaktuar e cila përbën themelet ku ndërtohet zbatimi i reformës në administratën publike, Strategjia Ndërsektoriale e Reformës ne Administratën Publike”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke folur sot në Kuvend mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Këshillit të Ministrave për gjendjen në shërbimin civil për vitin 2019 tha se, “qëllimi i kësaj strategjie është forcimi i kapaciteteve të administratës duke rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit dhe përgjegjshmërinë e çdo nëpunësi dhe në një perspektivë afatgjatë rritjen e qëndrueshmërisë së punonjësve të administratës publike përmes zbatimit me rigorozitet të procedurave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi”.

Sa i përket shërbimit civil dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, Spiropali u shpreh se duhet përmendur konsolidimi në vite i një kuadri ligjor të plotë dhe të qartë, i cili ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet që janë pjesë e shërbimit civil”.

“Gjatë viti 2019, vëmendje e vazhdueshme i është kushtuar sigurimit të një trupe cilësore të nëpunësve përmes konsolidimit të procesit të rekrutimit, si fokusi kryesor i sigurimit të një procesi të drejtë konkurrimi për vendet vakante në shërbimin civil dhe me transparencë për procedurat e rekrutimit, larg prej praktikave të vjetra të rekrutimit pa kriter apo për arsye të tjera politike, nepotike etj”, tha ministrja.

Në këtë kuptim, tha ajo, “viti 2019 shënoi një rritje të përqindjes së plotësimit të nevojave për rekrutim. Mobiliteti me shërbimin civil, si një element i rëndësishëm në drejtim të funksionimit me rigorozitet të legjislacionit për nëpunësin civil  dhe depolitizimit të administratës shtetërore shënon shifra inkurajuese, ku 39% e pozicioneve janë plotësuar vetëm ndërmjet procedurave të lëvizjes paralele ose ngritjes në detyrë. Pra është rritur numri i nëpunësve nga brenda sistemit të shërbimit civil, krahasuar me 35.8 % në vitin 2018”.

Spiropali theksoi se “rritja e kapaciteteve të administratës publike shqiptare për të zhvilluar procedura rekrutimi të bazuara në meritë dhe vlerësuar nga KE, duke u evidentuar si një ndër pikat në të cilat Shqipëria ka pasur progres nga raporti i fundit i parashikuar në maj 2019”.

“Tashmë procesi i rekrutimit është i dixhitalizuar në të gjithë etapat e tij, duke filluar nga aplikimet për pozicione pune, vlerësimi i dosjes së aplikantëve, gjenerimi automatik i tezave të testimit me shkrim nga banka e pyetjeve, e cila pasurohet vazhdimisht dhe korrigjimi elektronik, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në organizimin e procedurave të rekrutimit. Madje dixhitalizimi i procesit të rekrutimit së fundmi është konsideruar histori suksesi në rajon nga KE”.

Spiropali tha se “platforma unike administrata.al përbën një element shumë të rëndësishëm në funksion të zbatimit të unifikuar të procedurave të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjithë institucionet, pjesë të shërbimit civil. Pra jo vetëm në institucionet, pjesë të administratës shtetërore, por edhe në institucionet e pavarura dhe pushtetin vendor. Gjithashtu ndërmjet saj do të lehtësohet komunikimi ndërmjet institucioneve dhe do të mund të krijohet një tablo e qartë mbi gjendjen e menaxhimit të burimeve njerëzore”.

Spiropali tha se, “një lajm i rëndësishëm është edhe dhënia mundësisë për studentët e ekselencës të diplomuar me mesatare 9-10, për të përfituar një përvojë kualifikuese në institucionet e administratës publike, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale. Kështu gjatë vitit 2019 u emëruan me kontratë të përkohshme 1 vjeçare gjithsej 602 ekselentë”.

Sa i përket reformimit të sistemit të pagave, Spiropali tha se, “reforma e pagave mbetet në të vërtetë një sfidë për faktin se kërkon një transformim të organizimit aktual të pagave dhe padyshim organizimi i sistemit të pagave të shërbimit civil bazuar në vlerësimin e punës, vlerësim i arritjeve vjetore të nëpunësve civil, rezultateve, trajnimit të detyrueshëm, janë mjaft sfiduese në kuptimin e përcaktimit të qasjes më të mirë për administratën publike shqiptare”.

/gj.mima/ /a.g/