ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se deri në orën 14:00 janë regjistruar 16 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje.

Sipas MM, në mbështetje të operacioneve për menaxhimin e situatës janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

Në Gojan–Gjegjan, në Pukë, situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat. Në terren janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake dhe 50 vullnetarë. Operacioni mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë. Mjetet janë vendosur në pikat me rrezik riaktivizimi për ndërhyrje të menjëhershme.

Në Dukat, në Vlorë, vijon operacioni në zonën e Shatës, ku vatra është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk rrezikohen banesat. Në terren operojnë forcat zjarrfikëse, punonjës të Shërbimit Pyjor dhe forca të Njësisë Administrative Orikum, të mbështetura nga 40 efektivë të FA-së dhe dy avionë Air Tractor.

Në Mal Milot, në Kurbin, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën pyjore me pisha, pa rrezik për banesat. Operacioni mbështetet nga forca zjarrfikëse, policore e bashkiake, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, dy automjete zjarrfikëse të FA-së dhe një helikopter.

Ndërkohë, në Dajt, në Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë e tyre është izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 13 efektivë të MZSH-së dhe 9 forca të AZM-së, me mbështetjen e dy helikopterëve.

Në vatrat e tjera vijojnë ndërhyrjet dhe monitorimi nga strukturat vendore dhe operacionale, me fokus mbajtjen nën kontroll të situatës dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave të shuar ose të izoluara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për ndjekjen e situatës në të gjithë territorin.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/gj.m/j.p/