“Europa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve”, u shpreh sot ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, i cili po viziton Italinë me rastin e 30-vjetorit të mbërritjeve të para të shqiptarëve në brigjet italiane në vitin 1991.

“Sot jemi këtu për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme, zbarkimet e para të miqve shqiptarë këtu në Pulia 30 vite më parë, pikërisht gjatë këtyre ditëve. Puljezët dhe do të thosha të gjithë italianët kanë ende në kujtesën e tyre imazhet e këtyre personave, të shtrënguar me mijëra me njëri-tjetrin në këto anije të shpresës”, u shpreh Di Maio.

“Për shumë shqiptarë Italia nënkuptonte mbi të gjitha liri dhe shpresë për një jetë më të mirë. Nuk e dimë me saktësi se sa shqiptarë mbërritën në brigjet puljeze gjatë atyre muajve dramatikë të vitit 1991, sigurisht disa dhjetëra mijëra. Vetëm anija “Vlora” që mbërriti në portin e Barit, në gusht të vitit 1991, transportonte 20 000 persona. Të gjithë ata, ashtu si mijëra bashkëkombas të tjerë që erdhën muajt pasardhës gjetën ngrohtësi dhe mikpritje. Mobilizimi popullor i puljezëve përballë motrave dhe vëllezërve shqiptarë që vinin nga ana tjetër e Adriatikut ishte i jashtëzakonshëm, që sot pas 30 viteve na mbush me krenari”, u shpreh Di Maio.

“Qytetarët shqiptarë që jetojnë në vendin tonë janë sot rreth 500 mijë dhe përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjithë sektorët e shoqërisë sonë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që sot jam këtu me Edi Ramën kryeministrin e Shqipërisë, mikun vëllam dhe të sinqertë të Italisë dhe me guvernatorin e rajonit të Pulias, Michele Emiliano për të kujtuar ato momente domethënëse dhe prekëse që kontribuan në bashkimin edhe më shumë të popujve tanë dhe që na shtyn të mendojmë edhe për të ardhmen”, vijoi ministri i Jashtëm italian.

“Dhe pikërisht në këtë sfond ndodhi afrimi progresiv i Shqipërisë me Europën. Një afrim që Italia dhe unë, personalisht, e kemi mbështetur dhe inkurajuar vazhdimisht. Një shpresë që negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE të mund të hapen, më në fund, gjatë këtij viti. Ndërsa veprojmë për t’i dhënë më shumë perspektiva këtij rrugëtimi, në planin bilateral kemi ndërtuar një marrëdhënie unike dhe të thellë, në të gjitha këndvështrimet, tregtar, kulturor dhe shoqëror”, u shpreh ai.

“Roli i Italisë në Shqipëri është padyshim i veçantë. Ambasada jonë koordinon një prani që përfshin Zyrën ICE, një Dhomë Tregtie mjaft aktive, Institutin e Kulturës, Agjencinë e Bashkëpunimit për Zhvillim, organin e Kufijve Detarë të Policisë sonë Financiare, me dhjetëra mësues e profesorë, një rrjet prej 3 000 ndërmarrjesh italiane, shumë prej të cilave janë pikërisht puljeze. Pavarësisht se 2020 ka qenë një vit veçanërisht i vështirë, Italia e tregoi veten si partnere parësore për Shqipërinë, me 31,4 % të tregtisë së përgjithshme midis dy vendeve, e barabartë me rreth 2,2 miliardë euro. Mendojeni pak, rreth 20 % e PBB së Shqipërisë. Nga këndvështrimi kulturor, bashkëpunimet tona reciproke dhe të afërta janë të panumurta dhe dua të përmend sidomos bashkëpunimin ekzistues mes Komisionit të Filmit të Pulias dhe Qendrës shqiptare të Kinematografisë, drejtori i të cilës, Ilir Butka, ishte një nga shqiptarët që 30 vjet më parë zbarkoi me anije në Brindizi”, tha Di Maio.

“Sot kemi shumë shumë për të kujtuar festuar. Duam ta bëjmë jo në mënyrë retorike dhe nostalgjike, por duke mbajtur të pandryshueshëm shikimin tonë drejt së ardhmes. Rrugëtimi ynë drejt bashkëpunimit dhe miqësisë vazhdon me hapa konkrete, i dashur Edi. Italia mbështet e bindur plotësisht Shqipërinë, dhe për këtë bësojmë se Europa duhet të demostrojë të jetë në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve”, përfundoi Di Maio.

Presidenti i rajonit të Puglias, Michele Emiliano u shpreh se “është një nder i madh për ne puljezët t’i shprehim mirëseardhjen kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm Luigi di Maio. Është një lumturi e vërtetë, autentike që rrjedh nga një miqësi e vjetër e bazuar në vepra dhe jo në fjalë”.

“Dhe nga e gjitha kjo, kryeministri Rama do të më lejojë që të falënderoj në mënyrë të veçantë ministrin e Jashtëm që, megjithë impenjimet e jashtëzakonshme që ka, nuk deshi të mungonte në këtë ditë të veçantë dhe të jashtëzakonshme, një ditë që na kujton dëshirën që çdo popull ka pasur për një tjetër, një dëshirë njohjeje të bazuar te kultura, te bukuria dhe te ndarja e problemeve, dua të them edhe për luftën për demokraci, për lirinë, një luftë e përbashkët për progresin ekonomik, për mirëqenien, të gjitha gjërat që kemi ende për qëllim të bëjmë përgjatë viteve që do të vijnë”, theksoi ai.

“Kështu që, këto ditë janë një impenjim, një betim nëse më lejohet të përdor këtë term, për besnikëri ndaj vetes për ligjet e pashkruara të njerëzve dhe mbi të gjitha për këtë miqësi të shkëlqyer mes Italisë dhe Shqipërisë, nëse më lejohet edhe mes Pulias dhe Shqipërisë që ne duam ta ruajmë si një gjë shumë të vlefshme”, tha Emiliano.