PRISHTINE, 23 qershor/ATSH/- Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett ka deklaruar se SHBA nuk është pro shkëmbimit të territoreve.

Gjatë një emisioni televiziv, diplomati amerikan tha se nuk mund të ofrojë më shumë detaje rreth agjendës së takimit të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në takimin e së shtunës në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk mund të them më shumë se kaq, të shohim si do të kalojë takimi të shtunën”, tha Kosnett, i pyetur nëse do të ketë mundësi kompromisi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës duhet t’i shikojnë bisedimet si një mundësi. Qëllimet e Amerikës për Kosovën janë të njëjta me ato të qytetarëve të Kosovës. Luftimi i korrupsioni dhe sundimi i ligjit në Kosovë është i rëndësishëm dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë është i rëndësishëm për zhvillim ekonomik. Status-quo në Kosovë nuk është e qëndrueshme”, tha ai.

Duke folur rreth deklarimeve të emisarit amerikan për dialogun Richard Grenell se ideja e shkëmbimit të territoreve është e ish-këshilltarit amerikan John Bolton, ambasadori Kosnett tha se SHBA nuk janë duke ndjekur idenë e shkëmbimit të territoreve dhe se askush nuk ka diskutuar për një gjë të tillë.

“Ka shumë pak interes në Kosovë për shkëmbim territoresh me Serbinë dhe Grenell e ka thënë se kjo nuk është pjesë e diskutimeve”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ambasadori amerikan ka mohuar se nuk ekziston një marrëveshje e gatshme për Kosovën, sikurse kishte deklaruar më herët ish-kryeministri Albani Kurti.  /KosovaPress/

ATSH