ATSH/ Sot është Dita Botërore e Muzikës, që u themelua në Francë në vitin 1982 nga ministri i Kulturës Jack Lang dhe kompozitori Maurice Fleuret, për t’iu krijuar hapësirë muzikantëve profesionistë dhe kryesisht atyre amatorë për të prezantuar punën e tyre në formën e një festivali muzikor.
Data 21 qershor u zgjodh që të përkojë me solsticin e verës, një ditë që simbolizon ekuilibrin e përsosur mes dritës dhe errësirës. Ajo shërben si një metaforë për harmoninë dhe unitetin që sjell muzika në jetën tonë, duke kapërcyer dallimet dhe duke nxitur një ndjenjë bashkimi.
Me moton “Faites de la musique” (Bëni muzikë), kjo festë u përhap shpejt në Europë dhe sot kremtohet në mbi 120 vende të botës, përfshirë edhe vendin tonë. Qëllimi i manifestimit ndërkombëtar të kësaj dite është që të inkurajojë muzikantët amatorë dhe profesionistë që të performojnë falas, duke e sjellë muzikën në hapësira publike për ta bërë atë të aksesueshme për të gjithë.
Në Tiranë dhe qytete të tjera, kjo ditë shënohet me koncerte të hapura, aktivitete të organizuara nga Bashkia dhe institucionet kulturore.
Nga Parisi deri në Nju-Jork, nga Roma deri në Tokio, koncertet e Ditës Botërore të Muzikës përfshijnë çdo zhanër të muzikës: klasike, popullore, jazz, rock, muzikë alternative. Kjo ditë është një festë e kulturës së gjallë, ku muzika shndërrohet në mjet bashkimi dhe dialogu.



























