Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi kërkoi reflektim dhe veprim konkret për të përshpejtuar vënien në funksion të plotë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Pas 3 viteve të fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe në kushtet e shkaktuara nga COVID-19 është shumë aktuale shprehja: Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”, tha Hysi.

Le të shërbejë kjo ditë, tha ajo, “si reflektim dhe për veprim konkret për të përshpejtuar vijimin më shpejt të procesit të Vetingut”.

“Po ashtu edhe për zbatimin e procedurave të thjeshta dhe të shpejta të shqyrtimit civil, administrativ dhe penal; trajtimin e dosjeve pa fund që presin me vite në sekretaritë e gjykatave; respektimin e të drejtave të njeriut në çdo procedim dhe gjykim; zbatimin me efikasitet të ligjit “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, tha ajo.

Hysi kërkoi po ashtu reflektim për zbatimin e plotë të Kodit Penal për Drejtësinë Penale për të Mitur dhe për zbatimin me eficensë të ligjeve te reja për avokatinë, noterinë, shërbimin përmbarimor gjyqësor privat dhe miratimin e ligjit të ri për shërbimin përmbarimor shtetëror./m.m/ /a.g/atsh