Nga: Miranda Sadiku- Ndërthurja e mitit dhe realitetit zbulon të vërtetën mahnitëse të një trashëgimie që përshkon kohët. Në territorin e Shpatit, në Lleshanin e shumë kishave, një pemë e madhe ka rrëfyer historinë e saj, duke e bërë veten pjesë të një legjende që ka rrëmbyer imagjinatën e brezave për shekuj. Dushku i Lleshanit, siç e quajnë banorët me respekt të thellë, është më shumë se një pemë. Është një dëshmi e përjetësisë, një simbol i forcës dhe rezistencës së natyrës përballë kohës së kaluar.

 

Dushku i Lleshanit ka qenë për shekuj një simbol i përjetësisë dhe mbetet një trashëgimi e çmuar për këtë zonë. Legjenda që rrethon këtë pemë të shenjtë është e tillë që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të zonës së Shpatit. Nëna dhe babai që nuk arritën ta shpëtojnë foshnjen e tyre të vogël, por që ai të lindte si një krijesë e mrekullueshme, tregon për forcën dhe rëndësinë që ka trashëgimia jonë.

 

“Kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lente dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjen e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë, por jo…! Foshnja do të ishte krijesa e kësaj peme madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë, këtë monument natyror me shumë vlera”.

 

Ky epitaf varur në trungun e dushkut është kontakti i parë mes vizitorëve të huaj dhe vendas në lidhje me mitin e lashtësisë së kësaj peme, që shfaqet si një simbol i përjetësisë.

 

Prindërit të cilët ishin udhëtarë ndalojnë në këtë lëndinë dhe fëmija i tyre gëlltit një lente, e cila i ngeci në fyt. Edhe pse prindërit dhe shumë udhëtarë i erdhën në ndihmë fëmijës për ta shpëtuar ishte e pamundur. Prindërit vendosën që ta varrosin pikërisht në këtë vend fëmijën e tyre. Dhe mbas pak kohësh, pikërisht nga barku i foshnjes, lentja u rrit duke nxjerrë filizin e dushkut, i cili sot është i lartë dhe shumë shekullor.

 

Dushku i Lleshanit shpalos krenarinë e tij madhështore mbi këto varreza të lashta sa vetë ai. Flladi i tij i freskët përshëndet udhëtarët që kalojnë pranë tij dhe u tregon atyre legjendën që përcillet prej shekujsh.

 

I ka kaluar të 500 vitet, dhe ndodhet mes fshatrave Dërstilë dhe Shelcan, rreth 15 kilometra larg Elbasanit. Buzë rrugës në fshatin Lleshan, shumë pranë Gjinarit, Dushku i Lleshanit, është kaq i përhapur si mit si rrjedhojë e një historie që ndodhet midis legjendës dhe reales.

 

Dushku i ka hapur degët e tij në një fushë të madhe dhe pret çdo kalimtar të rastit, për të shijuar ujin e ftohtë që rrjedh shumë pranë. Shpatarakët të njohur si besimtarë ortodoksë, ndalojnë dhe ndezin qiri në një dhomëz të vogël, ndërtuar nuk dihet se prej kujt.

Në vitin 2002 dushku është shpallur monument kulture, për nga vetë vlerat që ka.

Në vitin 2006 përfaqësues të organizatës Word – Vizion, shkonin për në Gjinar për të festuar

“Festën e Bokanikut” dhe mbetën të mahnitur sa nga madhështia e dushkut aq edhe nga legjenda që ai mbart. Po këtë vit kjo organizatë do të investonte, duke e rrethuar dushkun me kangjella prej druri, dy palë shkallë si dhe duke restauruar çezmën që ndodhet shumë pranë tij.

 

Legjenda e këtij dushku tashmë është kthyer në një vlerë natyrore e cila do të mbijetojë edhe për shekuj të tjerë, mbi këtë kodrinë të vogël në fshatin Lleshan, i cili ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Elbasanit. Kjo legjendë vjen dhe i afrohet më shumë reales, nga fakti se nuk i përket florës së zonës rritja e pemës së dushkut.

 

Ndaj ky simbol është një shans i madh për të promovuar Dushkun e Lleshanit si një destinacion turistik të rëndësishëm dhe për të frymëzuar vizitorët të përjetojnë një pjesë të rrallë të historisë dhe bukurisë natyrore.