Epidemiologu shqiptar: Duhen kryer pak më shumë teste, do kishim disa raste më shumë

Publikuar tek: AKTUALITET, më 21:44 13-04-2020Epidemiologu shqiptar: Duhen kryer pak më shumë teste, do kishim disa raste më shumë

Mjeku epidemiolog Alban Ylli

Epidemiologu Alban Ylli thotë se në Shqipëri mund të kryheshin “pak më shumë teste” për koronavirusin se çfarë po kryhen aktualisht.

Megjithatë ai shton se pandemia, për një vend të vogël si Shqipëria, është arritur të mbahet nën kontroll falë masave të marra në kohë.

Mjeku tha gjithashtu se masat drastike kanë funksionuar dhe kanë treguar se vendet që i kanë aplikuar këto masa më herët, kanë treguar një kurbë më të ulët të përhapjes së koronavirusit.

Pjesë nga deklarata e mjekut virolog Alban Ylli në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”:

Kemi arsye të besojmë se mund ta kontrollojmë këtë pandemi përmes masave të marra.

Tashmë mund të themi që jemi përgjithësisht të qartë se çfarë po ndodh, por do thoja që janë shumë të pakët në botë ata persona që janë të sigurtë për të ardhmen. Por ne mundet të themi që mund ta vendosim nën kontroll përmes masave të marra.

Numri i testeve duket se është i vogël në kushtet e Shqipërisë, mund të kishim disa teste më shumë, por çfarë do të kishim? Do të kishim disa raste më shumë pozitive dhe do të krijonim disa iluzione më shumë për shkaqet e vdekjeve. Ndoshta në të ardhmen do të duhet të testojmë më shumë dhe në forma të ndryshme.

Sot bota është duke përjetuar atë që ne e kemi quajtur “fshati global”, një ekspert që flet në Kanada, Kinë apo Rusi dëgjohet brenda ditës në të gjithë botën, dhe kjo mund të krijojë edhe kakofoni, por është e vetmja mënyrë që ne të mësojmë. Unë si profesionist përdor atë që quhet shtypi i verifikuar, i kontrolluar nga eskpertët. Për mua më e rëndësishmja ka qenë efekti i masave drastike. Mund të themi me bindje që masat drastike funksionojnë. Kurba epidemike është e shtypur aty ku kanë filluar masat më shpejt.