Hyn në fuqi vendimi për faljen e taksës vjetore 2020 të mjeteve që operojnë në linjat e rregullta të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si dhe të transportit të udhëtarëve jashtë vendit. Vendimi për kompensimin e taksës vjetore të mjeteve të transportit u propozua nga Ministria e Infrastrukturës dhe rindërtimit me qëllim zbutjen e efekteve në sektorin e transportit nga Covid-19. Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se ata mjete që kanë paguar taksën për 2020, do të kompensohen në momentin e pagesës pasardhëse, pra vitin tjetër.

Nuk përfitojnë nga ky vendim të gjitha subjektet që rezultojnë debitore dhe nuk kanë kryer pagesën e taksës vjetore për mjetet e përdorura, për vitet paraardhëse. Subjektet mund të jenë përfituese nga falja e taksave për vitin 2020, vetëm në rast se shlyejnë detyrimet e prapambetura brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e vendimit. Sipas të dhënave të drejtorisë të përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nga vendimi i faljes të taksave vjetore përfitojnë 7,204 mjete dhe efekti financiar llogaritet rreth 170 milionë lekë dhe do të përballohet nga fondi rezervë i krijuar nga drejtoria e Shërbimit të Transportit të Udhëtarëve.

Nga ky vendim përfitojnë të gjitha subjektet, individë, persona fizikë ose juridikë, të cilat shfrytëzojnë mjete të transportit rrugor në pronësi, në bashkëpronësi ose me qira, si dhe që ushtrojnë aktivitetin e transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit dhe pjesërisht jashtë territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë nga transportues me seli në Republikën e Shqipërisë. Vlera e kompensimit për subjektet përfituese përballohet nga fondi rezervë i krijuar i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.