ATSH/ – ”Iliada” dhe ”Odisea” përfaqësojnë lindjen e letërsisë perëndimore dhe themelet e kulturës së Greqisë së lashtë.
Të atribuuara poetit legjendar Homeri, këto dy poema epike shënojnë kalimin vendimtar nga një traditë shumë e gjatë gojore drejt kodifikimit të saj në formë të shkruar.
Në këto vepra flisnin perënditë dhe ato ishin të lidhura ngushtë me njerëzit. Këto tekste nuk ishin thjesht argëtim.
Për grekët ato përfaqësonin një enciklopedi të vërtetë fisnore: përmbanin ligjet fetare, modelet e sjelljes, gjeografinë dhe historinë epërbashkët të një populli.
Pa poemat homerike, letërsia e mëvonshme (nga tragjedia greke deri te ”Eneida” e Virgjilit dhe Dante Alighieri) nuk do të kishte lindur kurrë.
Në kinematografi janë realizuar shumë përshtatje të këtyre veprave dhe, së fundmi, edhe ajo e Christopher Nolan.
Sipas mendimit të kritikëve , këtij filmi i mungon roli themelor dhe parësor i zërit të perëndive; në film flet vetëm Atena dhe vetëm në një moment të vetëm.
Ndërkohë, në mitologjinë greke, perënditë i drejtonin njerëzit pothuajse si “automatë”.
Në këtë drejtim është interesante teoria e Julian Jaynes, e paraqitur në librin ”Rënia e mendjes dykamerale” (The Origin of Consciousness in the Breakdown of the Bicameral Mind), sipas së cilës truri ynë, i ndarë në hemisferën e djathtë dhe të majtë, funksionon në mënyra të ndryshme.
Sipas tij, hemisfera e djathtë është “hemisfera e heshtur”, ajo që nxit reagimet emocionale, ndërsa hemisfera e majtë – ajo mbizotëruese – është hemisfera e gjuhës dhe e funksioneve më të rëndësishme të njeriut.
Pikërisht me veprat e Homerit, sipas kësaj teorie, i jepej zë hemisferës së djathtë, përpara se ky funksion të braktisej.
Hemisfera e djathtë është ajo që “dëgjon” perënditë; te ”Odisea”, protagonisti udhëhiqet dhe këshillohet nga perënditë, të cilat ndaj heroit shfaqin të njëjtat pasione dhe instinkte si njerëzit.
Kjo pjesë, sipas autorit, mungon plotësisht në rrëfimin filmik të Christopher Nolan.
Nga pikëpamja narrative, kështu lihet mënjanë një etapë themelore e evolucionit kulturor: kalimi nga lindja e shumë perëndive drejt konceptit të një Zoti të vetëm, një akt arketipal që, po ashtu përmes letërsisë – mjafton të përmenden Shkrimet e Shenjta – krijoi një mënyrë të re të të kuptuarit të hyjnores… /os/



























