ATSH/ Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të hapë dyert për publikun më 15 shtator, në kuadër të aktivitetit “Open Opera – Një ditë në teatër”.

Aktiviteti synon t’u japë vizitorëve mundësinë të njohin teatrin përtej skenës dhe të zbulojnë nga afër procesin që qëndron pas një shfaqjeje, hapësirat e institucionit dhe njerëzit që punojnë çdo ditë për të sjellë në skenë artin e operës, baletit dhe muzikës popullore.

Përmes kësaj nisme, publiku do të mund të shohë nga afër hapësirat dhe atmosferën e teatrit, duke zbuluar edhe pjesën e padukshme të punës artistike dhe teknike që i paraprin çdo shfaqjeje.

“Open Opera – Një ditë në teatër” synon të afrojë më tej publikun me institucionin dhe të ofrojë një këndvështrim ndryshe mbi botën e skenës, duke e kthyer teatrin në një hapësirë të hapur për të gjithë.

Aktiviteti do të nisë nesër, në orën 10:00 dhe hyrja do të jetë e lirë.

/j.p/r.e/