ATSH/- Një studimi i kryer nga shkencëtarë të Universitetit të Stanfordit, në Britani të Madhe, sugjeron se plakja biologjike nuk zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme gjatë jetës, por kalon nëpër disa faza me ndryshime më të theksuara.

Sipas hulumtimit, nivelet e proteinave në gjak pësojnë ndryshime të mëdha rreth moshave 34, 60 dhe 78 vjeç, duke treguar se procesi i plakjes është më kompleks sesa mendohej më parë.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine”, u drejtua nga studiuesit, Benoit Lehallier dhe Tony Wyss-Coray nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Stanford, në bashkëpunim me shkencëtarë nga institucione të tjera kërkimore në SHBA dhe Evropë.

Për hulumtimin u analizuan mostrat e plazmës së gjakut të 4 263 personave të moshës nga 18 deri në 95 vjeç.

Studiuesit matën 2 925 proteina në plazmën e gjakut, duke përdorur teknologji të avancuar të proteomikës, për të vlerësuar mënyrën se si ndryshojnë treguesit gjatë gjithë jetës.

Analiza tregoi se ndryshimet nuk ndodhin në mënyrë lineare.

Përkundrazi, nivelet e shumë proteinave ndryshojnë me intensitet më të madh në tre periudha të jetës, përkatësisht rreth moshave 34, 60 dhe 78 vjeç.

Secila prej këtyre fazave karakterizohet nga ndryshime në grupe të ndryshme proteinash dhe lidhet me procese biologjike të ndryshme.

Një tjetër zbulim i rëndësishëm tregoi se rreth një e treta e proteinave të analizuara, ndryshojnë ndjeshëm me kalimin e moshës.

Gjithashtu, rreth dy të tretat e proteinave që lidhen me plakjen, shfaqin modele të ndryshme te burrat dhe gratë, duke sugjeruar se procesi biologjik i plakjes nuk është i njëjtë për të dy gjinitë.

Studiuesit identifikuan gjithashtu 373 proteina, kombinimi i të cilave mund të parashikonte moshën biologjike të një personi me një saktësi prej vetëm pak vitesh diferencë.

Personat, mosha biologjike e të cilëve rezultonte më e re se mosha kronologjike, kishin tendencë të kishin rezultate më të mira në testet fizike dhe të aftësive njohëse.

Sipas autorëve, disa nga proteinat që ndryshojnë në kulmet e moshave 60 dhe 78 vjeç, lidhen edhe me sëmundje të zakonshme të plakjes, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjen e Alzheimerit.

Kjo mund të ndihmojë në zhvillimin e treguesve të rinj për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve të lidhura me moshën.

Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se njerëzit plaken papritur sapo mbushin 34, 60 ose 78 vjeç.

Këto mosha përfaqësojnë pika mesatare statistikore, ku u vunë re ndryshime më të mëdha në proteinat e gjakut, ndërsa plakja mbetet një proces i vazhdueshëm, i ndikuar nga gjenetika, mënyra e jetesës dhe faktorë të tjerë biologjikë.//a.i/