TIRANË, 18 maj/ATSH/- Prej datës 1 prill 2020 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë në dispozicion të tatimpaguesve portalin SeflCare, i cili do të shërbejë për zbatimin e procesit të Fiskalizimi për subjektet ekzistuese edhe për ato të reja.

Portali SelfCare përdoret pa pagesë dhe nuk ka asnjë kosto mirëmbajtjeje.

Detyrimi për zbatimin e procesit të fiskalizimit për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin pa TVSH, me qarkullim deri në 2 milionë lekë fillon nga data 1 janar 2021.

Përmes një videoje informuese DPT njeh këta tatimpagues me veprimet që duhet të kryejnë për periudhën tranzitore deri në fund të këtij viti.

Sipas DPT-së tatimpaguesit do të vijojnë të përdorin pajisjet fiskale që kanë në përdorim edhe pas datës 1 janar 2021, nëse do të arrihet përshtatja e tyre sipas kërkesave të Fiskalizimit.

Për këtë, ata duhet të kontaktojnë ofruesin e pajisjes fiskale dhe të sigurojnë përshtatshmërinë e pajisjes fiskale me shërbimin e Fiskalizimit për lëshimin e faturës.

Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë.

Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF).

/a.gjonaj/