ATSH/ – “Ata që largohen prej radhëve të Policisë së Shtetit për arsye moshe, duhet t’u garantohen kushtet e një jete dinjitoze”, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Lleshaj mori pjesë në mbledhjen online që Komisioni për Sigurinë, zhvilloi sot nëpërmjet platformës WEBEX, ku diskutoi në parim projektligjin: “Për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”.
I ftuar për të parashtruar këtë projekt ministri Lleshaj, theksoi arsyet e hartimit të tij, lidhur me nevojën për dinamikë të re dhe për përmirësimin e moshës mesatare të Policisë së Shtetit.
“Qëllimi i këtij projektligji është të adresojë kryesisht çështjen e moshës në Policinë e Shtetit. Për të përmirësuar moshën mesatare të Policisë së Shtetit duhet që për ata të cilëve ju duhet të largohen prej radhëve të saj për arsye moshe, t’u garantohen kushtet e një jete dinjitoze” vijoi më tej Lleshaj në fjalën e tij.
Sa i përket shqetësimit të deputetit Sadi Vorpsi në lidhje me moshën mesatare të repartit të zjarrfikësve, ministri Lleshaj tha se, “koncepti për zjarrfikësit është që duhet të jetë një trupë e specializuar sepse bën atë punë që se bën askush, luftojnë me zjarrin. Është një profesion që shumë pak njerëz mund ta bëjnë. Është alarmante që e kanë moshën mesatare 50 vjeç. Jemi dakord që ata duhet të jenë djem të rinj shumica”, tha Lleshaj.
“Ka dy rrugë këtu ose të mendojmë për një amendament që duhet ta bëni ju, ose të lëmë mundësinë të bëjmë një ligj të ri të veçantë duke bërë një ndryshim në ligjin përkatës për zjarrfikësit, ku mund ta vendosim këtë pikë, por teknikisht do na duhet të përdorim instrumente të tjerë financiarë”, tha Lleshaj.
Relatorja e projektligjit Antoneta Dhima në fjalën e saj, tha se, ”ky projektligj i jep mundësi punonjësve të këtyre institucioneve, të cilët kanë një karrierë të gjatë në këto struktura të përfitojnë trajtim financiar në rast se ata ndërpresin shërbimin me kërkesën e vet, ose të titullarëve të institucioneve përkatëse”.
Në projektligj theksohet se, “qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.
Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, me gradë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.
Sa i përket kritereve të përfitimit të trajtimit financiar në projektligj thuhet se, “punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur: ka mbushur moshën 55 vjeç; plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë.
Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë”.
Pas pyetjeve, sugjerimeve dhe diskutimeve të anëtarëve kryetarja e komisionit bëri me dije, se diskutimet për këtë projekt, do të vijojnë në mbledhje të tjera.
/gj.mima//a.a/