TIRANË, 27 qershor/ATSH-Zina Tosku/-Gjinari, fshati turistik i përcaktuar ndryshe edhe si perla e Elbasanit mirëpret në vit 30 mijë vizitorë ndërsa janë të shumtë ata që e zgjedhin për të kaluar fundjavën.

Nisma e qeverisë për mbështetjen e ekonomisë jobujqësore të 100 fshatrave, si pjesë e një programi 4 vjeҫar, ka përfshirë dhe fshatin Gjinar, pjesë e Qarkut të Elbasanit, cka e ka kthyer në një destinacion turistik, ku vetëm fundjavave zgjedhin të kalojnë kohë e ta vizitojnë 800 deri në 1000 turistë në ditë.

Shifrat janë bërë të ditura nga Xhevahir Halili, ekspert pranë sekretarisë Teknike te Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit pranë institucionit të prefektit të qarkut të Elbasanit, i cili rrëfen për ATSH se bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore si dhe ushqimet tradicionale mbeten atraksionet kryesore të cilat tërheqin kuriozitetin e vizitorëve, numri i të cilëve sipas tij, ka ardhur në rritje.

Gjinari gjendet në jug-lindje të qytetit të Elbasanit dhe arrihet në këtë destinacion nëpërmjet rrugës automobilistike Elbasan-Gjinar, gjendja e të cilës është e mire, e asfaltuar së fundi.

Distanca e përshkruar nga Elbasani për të mbërritur në Gjinar është 24 km. Fshati Gjinar pozicionohet kryesisht në një peizazh malor. Mali e Bukanikut, i cili gjendet 1831 metra mbi nivelin e detit mbetet një destinacion i pëlqyer për ngjitje në majën e tij. Pyjet dhe peizazhi malor janë pasuria e vërtetë e Gjinarit. Kryesisht mbetet një zonë e lagësht dhe në dimër bie mesatarisht mbi 2 javë dëborë.

E veçanta e Gjinarit është se ai dallon për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe gjatë dimrit.

“Çdo vizitor ka mundësi të kryejë aktivitete që ai dëshiron që nga hiking, camping, ekspedita studimore apo sporte të ndryshme si rally-it Keni mundësi të bëni çfarëdolloj. Krahas kënaqësisë të të vizituarit të një peizazhi piktoresk, Gjinari njihet edhe për vlerën e jashtëzakonshme që ka si zonë kurative, sidomos për ata që vuajnë nga mushkëritë.

Gjatë viteve të fundit ka lulëzuar kryesisht turizmi familjar çka pasqyron interesin e banorëve për ta zhvilluar këtë zonë dhe për ta bërë të njohur. Ekzistojnë rreth 23 shtëpi mikpritëse, të cilat banorët i kanë kthyer në bujtina për turistët. Turistët e huaj janë të shumtë dhe kryesisht janë holandezë, gjermanë dhe francezë”, u shpreh ai.

Krahina e shpatit, ku bën pjesë Gjinari, ka një histori të gjatë. Është e banuar që nga koha e bronxit dhe këtë e dëshmojnë objekte të ndryshme të zbuluara nga arkeologët. “Fshati i parë që do të ndeshim në rrugën për në Gjinar është Shelcani. Nuk duhet humbur rasti për të vizituar në këtë fshat kishën e Shën Kollit (Shën Nikollës), e cila  është ndërtuar në shekullin e XVI. Për afreskët e saj  punoi një prej ikonografëve më të famshëm të Shqipërisë së vjetër, Onufri. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë.

Të tjera objekte të trashëgimisë kulturore janë Kisha e Valeshit (Kisha e Shën e Premtes), Kisha e Gjinarit, Kisha e Pashtreshit, Kisha e Sterstanit, Kisha e Shën e Premtes në Valësh e cila është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar në tërë faqet e murit (freskë) janë pikturuat po nga Onufri (1554) në stilin bizantin. Gjithashtu, kjo kishë ka pranë Kalanë e Valeshit dhe Varrin e Kostandin Shpatarakut e cila vizitohet nga  rreth 800 vizitorë ne vit. Rruga për ta mbërritur në këtë objekt kulti e muzeal është e vështirë.

Por, Gjinarit nuk i mungojnë as monumentet natyrore si: Dushku i Lleshanit, dushku i kishës së Gjinarit,  dushku i Kishës Pashtreshit, Robulli i Zeleshnjes, kanionet e Valeshit e të Seltës. Dushku i Lleshanit është pemë shumë shekullore, e shpallur në mbrojtje nga shtetit.

Sipas gojëdhënave ky dushk lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lëndë dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjën e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë.   Foshnja do  të ishte krijesa e kësaj peme madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë këtë monument natyror me shumë vlera.

“Në Gjinar zhvillohen edhe një sërë festash dhe aktivitete të ndryshme sportive që nga fillimi i vitit deri në përfundim të tij si Dita Olimpike Kulturore Sportive “Miqtë e malit”, 8-9 Qershor të ҫdo viti, Dita e Kostandin Shpatarakut më 21 Shtator, Dita e panairit të zejtarisë, etnografisë dhe të promovimit të produkteve të zonës në ditën e verës apo Festa e Shën Morenës e cila festohet si peligrinazh dhe festë me datë 30 korrik të çdo viti, etj”, u shpreh Halili.

Kulinaria është një tjetër vlerë e shtuar për Gjinarin. Gjellët karakteristike të zonës, pula me qull, hoshmari, turshitë e shijshme, dalluese për këtë zonë, janë disa prej gatimeve tradicionale të kësaj krahine.

Rikualifikimi urban i qendrës Gjinar, rikonstruksioni i kishës Valësh, ndërhyrjet me investime me rrugën Valësh, investim i cili mundëson për të arritur në kishën Valësh, janë disa nga ndërhyrjet të cilat kanë ndihmuar në rikthimin e Gjinarit në destinacion turistik dhe rritjen e numrit të vizitoreve.

Po ashtu, familjarë dhe biznese kanë investuar në këtë zonë për rritjen e hapësirave dhe kapaciteteve akomoduese të cilat kanë ardhur në rritje.

 

ATSH