ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “po bëjmë gjithçka të ecim sa më shpejt me këtë volum të madh për rindërtimin”.

“Çdo ditë është e gjatë për ata që janë pa shtëpi. Prej disa ditësh po përjetojmë rritjen e temperaturave dhe nuk ka ditë që unë të mos e mendoj se ndërkohë që në shtëpitë tona është rritur temperatura ka familje dhe jo, një apo dy, por shumë më tepër që vazhdojnë në çadra, apo se pavarësisht se janë shumë më mirë se në çadër, nuk janë në shtëpinë e tyre ku mezi presin të kthehen. Mirëkuptoj stresin, padurimin, acarimin e shumëkujt që nuk është fare as në kategorinë e parë as në të dytën, por ka vendbanimin e tij në Facebook dhe nga aty ngre zërin për të drejtat e popullit që po vuan”, tha Rama.

Ajo që duhet kuptuar, vijoi ai, është se për të shkuar deri te shtëpia e ndërtuar është një proces i tërë”.

“Në rast se ne duam të dalim shumë më mirë, më të fortë se sa ishim në gjithë ato territore kur goditi tërmeti, është një proces i tërë planifikimi që lidhet me shumë yçkla që kanë të bëjnë em territorin, jo thjesht me pronën. Në çdo zonë ne kemi nevojë të bëjmë edhe shpronësimet përkatëse që po bëhen dhe kërkojnë kohën e procedurën e tyre, por lidhet edhe me vetë gjeologjinë. Në rastin e Thumanës bazuar në studimin gjeologjik na duhet të bëjmë një ndërhyrje më komplekse sepse është një zonë me një përmbajtje që kërkon përforcim në terrenin ku do të ndërtohet sepse në të shkuarën e vetë ka qenë kënetore. Po ashtu edhe në Spitallë në Durrës një masiv i madh për t’u ndërtuar në një zonë ish-kënetore që kërkon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për të qenë një terren solis mbi të cilin do ndërtojmë”, tha Rama.

Rama tha se “paralelisht me projektimin janë proceset e garave”. “Një pjesë janë mbyllur, një pjesë janë në proces, një pjesë tjetër do hapen, si Kombinati, që nuk është ende në garë. Nga garat e tanishme ka shumë kompani të përfshira që do të marrin punë, angazhojnë njerëz dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në gjithë zinxhirin ekonomik të vendit. Pastaj, janë projektet e zbatimit që kërkojnë kohën e tyre, përtej faktit se u goditëm dy herë në një kohë shumë të shkurtër nga tërmeti dhe COVID-i, që frenoi aktivitetin e shumë njerëzve dhe ndërpreu zinxhirin e procesit duke bërë që të shtyhen garat”, tha Rama.

Por nga ana tjetër, Rama tha se “hapi edhe një tjetër boshllëk të madh në raport me aftësitë financuese të gjithë këtij plani masiv”.

“Ne bëmë çmos dhe iu gjendëm pranë me dinjitet të gjithë atyre që kishin nevojë të mos ndjeheshin vetëm në periudhën kur COVID-i i la pa punë. Sot numërojmë çerek milionë shqiptarë të dëmtuar drejtpërdrejt, në kushtet kur janë mijëra shqiptarë që presin shtëpi të reja. Ne kemi mundësi financiare të kufizuara, nuk jemi Amerika apo Franca, por besoj se brenda kufijve të mundësive tona kemi bërë atë që askush nuk ka provuar në të shkuarën”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se në të shkuarën ka pasur fatkeqësi shumë më të vogla, si përmbytje, dhe fakti është se kemi gjetur kur kemi ardhur në qeveri borxhe ndaj njerëzve që vuajtën përmbytje pas përmbytjesh dhe nuk morën kokërr leku”. “Kjo nga ata të cilët sot pretendojnë t’u japin shqiptarëve një lugë floriri, mjafton që shqiptarët ta hanë tekun dhe pastaj të mbeten me bishtin e lugës në gojë”, tha Rama.

“Në këtë panoramë të përgjithshme, pa dashur të krahasohemi me të tjerë më parë, këtu mund të bëjmë krahasimin edhe me vende të tjera më të forta se ne. Shumë familje në Italinë fqinje prej 15 vjetësh janë në kabina dhe presin rindërtimin. Ka edhe shembuj suksesi si në Friuli ku për shkak të goditjes së tërmetit u krijuan kushtet dhe u shfrytëzuan mundësitë e një transformimi shumë të rëndësishëm. Por ka edhe zona të tjera ku njerëzit janë në kabina sot që flasim. Ka në shumë vende shumë më të zhvilluara që njerëzit akoma nuk kanë marrë një cent nga shumat e angazhuara për t’i mbështetur. Do t’i marrin patjetër, por proceset janë të tejzgjatura”, tha ai.