ATSH/- Në Buqezë, pranë bregut të Liqenit të Ohrit, është në proces studimi siti palafit “Lin 3”, në bashkëpunim me Universitetin e Bernës dhe me drejtues shkencor Adrian Anastasi, nga Akademia e Studimeve Albanologjike, i cili ka një pasion dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për këtë zbulim.
“Gjetjet janë shumë interesante dhe premtuese”, shkruan Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.
Mendohet që siti palafit “Lin 3”, të jetë një nga sitet më të mëdha ne Ballkan.
Koki ka publikuar në rrjetet sociale edhe foto nga vizita e tij në këtë sit.
Edhe më herët, Akademia e Studimeve Albanologjike, ka pasur bashkëpunime me studiues zviceranë, duke bërë punë kërkimore e krahasuese mes vendbanimeve palafite të liqeneve të Zvicrës dhe atyre të liqenit të Ohrit.
Vendbanimet palafite janë struktura të ngritura mbi grumbuj shtyllash (zakonisht prej druri) në sipërfaqe kryesisht te mbuluara nga uji. Në periudhën e neolitit dhe të bronzit, vendbanimet palafite ishin të zakonshme në zonën e Alpeve. Ato ndërtoheshin kryesisht si një mënyrë mbrojtjeje ndaj përmbytjeve dhe gjithashtu mbanin larg kafshët e rrezikshme.