ATSH/  Marrja e masave antiCOVID-19 që do merren nga strukturat arsimore parauniversitare për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, në përputhje me udhëzuesin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishin në qendër të një takimi të organizuar nga Prefektura Gjirokastër.

Në këtë takim ishin të pranishëm prefekti Astrit Aliaj, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniveristar Gjirokastër-Libohovë-Dropull Albana Hasanaj, drejtori i ZVAP Përmet-Këlcyrë Ferit Jashari, përfaqësues i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Altin Demiraj dhe drejtori i NJVKSH Gjirokastër Shpëtim Novi.

Prefekti Aliaj duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në qark theksoi se “është përgjegjësi nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore”.

Drejtuesit e ZVAP Gjirokastër dhe Përmet u shprehën se po punojnë për skenarët se si do të zhvillohet mësimi në shkolla dhe masat që do merren në mënyrë që të mos lejohet përhapja e COVID-19 në institucionet e arsimit.

“Skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve për shkollë, pasi ka shkolla, të cilat mund të vijojnë mësimin normalisht duke ruajtur distancimin social për shkak se ka pak nxënës”, -u shprehën ata.

Drejtori i NJVKSH Gjirokastër, Novi theksoi “se për hapjen e shkollave të vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë”.

Prefekti Aliaj kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet përkatëse për zbatimin rigoroz të të gjitha masave të përcaktuara në udhëzuesin e MSHMS me qëllim që procesi mësimor gjatë kësaj periudhe të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit./k.s/j.p/