ATSH/ Në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare për lehtësimin e veprimtarisë ekonomike të subjekteve private, në situatën e krijuar nga infeksioni COVID-19, Administrata Tatimore anuloi gjobat e vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se të gjitha subjektet që kanë marrë një penalitet për shkak të mospagimit në afat të kësteve të Tatimit mbi Fitimin dhe e kanë paguar atë, pjesa e gjobës dhe penalitete do të konsiderohet si e kreditueshme dhe bizneset do të mund të përdorin këtë shumë për detyrime tatimore të mëvonshme.

“Shumën që ata kanë paguar për gjobën dhe penalitetin do ta kenë të kreditueshme në llogarinë e tyre të cilën mund ta përdorin për të paguar detyrime të tjera”, tha Ibrahimaj

Sipas Ibrahimaj, janë rreth 930 biznese që janë gjobitur për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin.

Sipas saj, shuma do të kreditohet nga administrata tatimore në llogaritë e biznesit brenda muajit korrik.

Administrata Tatimore, thotë Ibrahimaj, mbetet e angazhuar për të mbështetur biznesin në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj periudhë të vështirë pandemie me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë./a.gjonaj/ /a.g/