Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te përshtatja e procedurave për përfshirjen e të vetëpunësuarve në bujqësi në skemën e pensioneve, duke marrë parasysh specifikat e kësaj kategorie dhe përdorimin e mjeteve e programeve elektronike.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte bashkëpunimi i institucioneve të sigurimeve shoqërore me institucionet financiare për pagesën e pensioneve, veçanërisht kontrolli dhe verifikimi i qenies në jetë të përfituesve që marrin pensionin përmes bankave ose jetojnë jashtë vendit.

Sipas Hados, përvojat e institucioneve homologe evropiane treguan se praktika e deklarimit një herë në vit, e zbatuar nga ISSH, është në përputhje me praktikat evropiane.

Në seminar u diskutua gjithashtu mundësia e përdorimit të zgjidhjeve të reja elektronike, përfshirë shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve homologe dhe aplikacionet që mundësojnë identifikimin përmes teknologjive biometrike.

Këto zgjidhje synojnë të reduktojnë kostot, të rrisin sigurinë dhe transparencën e procesit dhe të kursejnë kohën e qytetarëve, në kuadër të modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve të sigurimeve shoqërore.

Në përfundim të aktivitetit, drejtuesit e ISSA-s dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë vlerësuan organizimin e seminarit nga ISSH, si dhe profesionalizmin dhe mikpritjen e institucionit.

/e.xh/r.e/a.f/