ATSH/ Akademikët, studentët dhe publiku i gjerë në qytetin bregdetar mund të marrin shërbimin përmes Këndit Arkivor në bibliotekën e Vlorës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave promovoi Këndin Arkivor në Bibliotekën e Vlorës, i cili i vjen falë bashkëpunimit me bashkinë e Vlorës dhe bibliotekën publike ‘‘Shefqet Musaraj’’, ka për qëllim për të qenë sa më pranë studentëve, akademikëve po dhe publikut të gjerë për të bërë kërkime në këtë hapësirë studimore.
Në këtë hapje morën pjesë drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA,  Elsa Saka, drejtoresha e Bibliotekës Publike Vlorë ‘‘Shefqet Musaraj’’, Elma Rama, drejtoresha e Kabinetit të bashkisë Vlorë, Paola Monçe si dhe përfaqësues të tjerë nga bashkia Vlorë.
‘‘Është një nismë që Drejtoria e Përgjithshme ka sjellë së fundmi, duke e sjellë këtë Kënd Arkivor në çdo bibliotekë të çdo qyteti. Do të shtrihemi jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve. Sot jemi në Vlorë duke prezantuar këtë kënd, i cili është vetëm për efekte studimore. Kjo do të ofrojë për të gjithë studiuesit dokumente të aksesueshme njësoj si të ishin në sallën tonë të studimit në Tiranë’’,- tha Saka gjatë fjalës së saj.
Drejtoresha e Bibliotekës Publike Vlorë, Elma Rama shprehu falënderim për Arkivin Qendror Shtetëror për këtë mundësi që po i jep qytetarëve të Vlorës.
“Qytetarët do ta kenë sa më të lehtë aksesimin brenda mijëra dokumenteve që duan të shohin për efekte historike apo dhe efekte studimore, të arkivit të shtetit, qoftë për arsye personale të familjes apo studime të tjera akademike të studiuesve apo studentëve të Vlorës’’, u shpreh Rama.
Sot gjithashtu u prezantua edhe Këndi Arkivor në Selenicë. Me mbështetjen e bashkisë së Selenicës ky kënd u hap pranë ambienteve të Bashkisë. Të pranishëm ishin drejtoresha e Evidencës Qëndore dhe Komunikimit, Elsa Saka dhe kryetari i bashkisë së Selenicës,  Pëllumb Binaj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë iniciativë ka për qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë qytete brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj dhe sa më i lehtë.
Gjatë ditës në Lungomare të Vlorës u prezantua edhe ekspozita me titull “Vlora në dokumentet e AQSh”.
Ekspozita ngjalli kureshtjen e qytetarëve dhe turistëve, të cilët kishin ardhur për të pushuar. Ata ndalonin për të parë dokumentet dhe fotografitë historike të qytetit të Vlorës të periudhës deri në fund të Luftës së II Botërore./k.s/