Nga: Besim Dybeli

E arrestuan, kur kishte dalë partizan. E degdisën në kampin e përqëndrimit, Dakao, në Gjermani. I shpëtoi vdekjes së sigurtë dhe djegies në furra. Në atdhe e priste një tjetër përndjekje. Komunizmi e trajtoi më keq se nazistët gjermanë. Një histori e trishtueshme e Xhemal Gjelinës nga Librazhdi.
…ishte viti 1943
Patrulla gjermane do ta kontrollonte në hyrje të urës të lumit Shkumbin. Qe partisan i çetës së Mokrës. Komandanti Rexhep Collaku, i kishte dhënë 2 javë leje të çmallej me gruan e dy fëmijët. Xhemal Gjelina, është treguar me gisht nga një kapter gjerman, për t’iu bashkuar 18 personave, që u prangosën në cast.
-“Gjermani, që njohu babanë,-tregon njëri nga djemtë Tomorri, -ka qenë zenë rob në fshatin tonë. Me urdhër të komandës partizane, ai u la i lirë. Por ai kishte mbajtur mend fytyrën e babës tonë partisan”, – shton ai. Xhemal Gjelina, kishte 6 muaj që luftonte kundër gjermanëve. Në disa përpjekje kundër gjermanëve, Xhemali do të plagosej dy herë. Nuk mundi të kthehej më në çetë. Treni i robërve shqiptarë do ta dërgonte me qindra ballkanas të tjerë në kampet e përqendrimit në Gjermani. Familja e qau pa e ditur se ku u vra. Gruaja u vesh me të zeza. Dy djemtë, Skënderi dhe Tomorri, ndjenin se babai i tyre nuk jetonte më. Gruas i propozuan të martohej, por ajo s’pranoi. E lidhi jetën me dy fëmijët e saj jetim, pa ditur se një ditë, Zoti dhe fati do të sillte Xhemalin në shtëpi. Më pas do të linde edhe 5 fëmijë të tjerë. Vetë grua dhe vetë burrë. Bashkëshortit të saj nuk do t’i ndahej tuberkulozi, gjersa e mori në moshën 58 vjeçare. Jetimët u rritën mes vuajtjesh. U martuan, por hallet s’kishin të sosur në familjen Gjelina. Një familje si kjo, e lidhur me Luftën, do të mbijetonte në Sopot pa triska fronti. Reshit Collaku u vra e nuk mësoi dot për fatin e tij. Të gjallët, si Cene Mane dhe Pilo Peristeri kishin harruar se familja Gjelina ishte strehë e partizanëve dhe kish dhënë gjithçka për ta. Historia rrënqethëse, mori shkas nga biseda me Sheme Gjelinën.
Ai tregoi se i ati kishte shpëtuar gjallë në tre vitet e internimit në kampet gjemane. Por vuajtjet më të mëdha për babanë e tij kishin qenë pas kthimit në Shqipëri. Me Shemen, marrin rrugën e vështirë për në Sopotin e largët… E ëma e tij, Dija 85 vjeçare, do të tregonte mes lotësh të thara e faqesh të rrudhosura, historinë martire të burrit të saj…
X X X
Një dëshmitar i gjallë, i historive makabre të kampeve gjermane, ka treguar. Ai ishte 95 vjeç, kur u hodhën këto shënime. Quhet Rakip Tashi. Bashkëvuajtës me Xhemal Gjelina. – “Kaluam Qafë-Thanën në dhjetor 1943. Autokolona e makinave e gjatë. Merrnim frymë në gojët e njeri-tjetrit. 22 ditë kemi udhetuar me tren për në Gjermani. Ishim mijëra vetë. Unë dhe Xhemali si shumë nga Elbasani, në kampin e Dakaos në Mynih. Punonim në vend të kuajve. 18 robër tërhiqnin lesa të mëdha në fusha. Kush s’kishte fuqi të tërhiqte, gjermani i lëshonte qenin për ta kafshuar. Shkopinjtë mbi kurrizin tonë ishin më të lehtë se dhëmbët e qenit. Në 6 muajit e parë kemi grënë lëngje lakrash, bar të njomë dhe kërcelle bimësh. Ishim 80 shqiptarë. Nuk bëhej fjalë për bukë. Kush nuk u rezistoi punëve të rënda, u dogj i gjallë. Shtriheshim për të fjetur 500 vetë. Në mëngjes shihnim se kishin mbetur 50. Për pakë minuta kishim mundësi të shihnim shokët tanë të vdekur. I merrnin 10 e nga 10 dhe i hidhnin në furra. Këu përfundonin edhe ata që s’kishin fuqi të ngriheshin apo të fillonin punë. Kur kampi zbrazej nga të vdekurit, mbushej sërisht me robër nga gjithë Evropa. Pas 6 muajëve filluan të na jepnin 100 gram bukë për 24 orë. Unë dhe Xhemali ishim të fuqishëm. Kur kapitulloi Gjermania, 3 muaj na ushqyen anglezët. Për punën e bërë na shpërblyen. Kthimi ka qenë nga Italia. 6 javë kemi qëndruar në Rexheminio. Në Durrës erdhëm me anije. Shteti i atëhershëm na konfiskoi atë pak pasuri e plaçka që mundëm të siguronim me punë pas rëniens së Hitlerit. Mua dhe Xhemalit na dhanë 60 dollarë. Kthimi ynë ndodhi në vitin 1945. Jam hidhëruar shumë, kur mësova vdekjen e Xhemalit. Më ka ardhur keq që familja dhe gruaja e tij, nuk kanë përfituar asgjë nga shteti. Apo nga dëmshpërblimet që ka paguar Gjermania për vuajtjet e robëve në kampet e përqëndrimit”, ka treguar Rakip Tashi.
“Dasëm” për së dyti
Maji i 1945. Familja Gjelina jetonte me idenë se Xhemali, nuk dihej se ku kish vdekur apo ishte djegur në furrë. Ishte e pabesueshme.
– “Komshinjtë më thanë se burri im ishte dukur ne hyrje të fshatit! Më ra të fikët mbi parmendë”, – tregonte e veja 85 vjeçare, Dije Gjelina. Burri i saj dikur peshonte mbi 80 kg. Në derë ishte shfaqur si seklet eshtrash. Jo më shumë se 24 kg. Dy fëmijët qenë rritur dhe s’e njihnin, – shton ajo . Zakoni nuk më linte ta përqafoja. U derdha në lot … Shtëpia plot me njerëz. 30 ditë zgjatën pritjet dhe përcjedhjet. Dasëm e vërtetë në këtë familje. Burri i saj u shfaq pas 3 vjetësh humbjeje. Jeta filloi sërisht. Lindën fëmijë njëri pas tjetrit. Sot janë shtatë. Më i madhi, 70. Më i vogli, 56. Asnjërin Xhemali nuk arriti ta martojë vetë. Do të shtrohej në senatoriumin e Korçës. Më vonë në atë të Tiranës. Ilaçet dhe vizitat i bënte në klinikën e dr.Nosit në Elbasan.Vdekja e mori shpejt në moshën 58 vjeçare. Fëmijët dhe gruaja iu gëzuan atij pak viteve , që ai mundi të jetojë pas kampit të internimit. Por , shteti i atëhershëm i shtoi dhe një “ sëmundje ” tjetër. Partizanin e çetës së Mokrës dhe bashkëluftëtarin e Reshit Çollakut e shpalli kulak.
Dosja numër 24 do të qëndronte me biografinë e armikut të klasës në arshivat sekrete të Librazhdit deri më 1990. Ata që “kontribuan” për deklasimin e tij, dikur kishin qenë bashkëpunëtorë të gjermaneve. Asnjëri prej fëmijëve nuk mund të vazhdonte shkollën e lartë. Kush me 4 klasë e kush me 7. Vetëm 2 mund të mbaronin të mesmen. Sot, të gjithë të martuar. Dy nga djemtë jetojnë prej vitesh në Elbasan. Të tjerët në Sopot…