ATSH/ “Në zgjedhjet lokale të 2019 ne bëmë përpjekjen tonë për një projekt pilot për votimin elektronik në dy apo tre zona ku mund të shikonim konkretisht rezultatet dhe më pas mbi bazën e atij rezultati do të nxirrnim konkluzionin dhe të vazhdonim më tutje shtrirjen e sistemit në rast se konkluzionet do të ishin pozitive”.
Kështu deklaroi sot në Kuvend Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “kjo gjë nuk ndodhi se axhenda e opozitës ishte dhe mbetet tjetër”.
“Prandaj kemi bërë një studim që kam folur edhe publikisht, prandaj kemi angazhuar një proces të tërë eksperimentimit konkret, duke krijuar në selinë e PS-së qendra votimi për të parë reagimin ndaj teknologjisë të shtresave dhe moshave të ndryshme dhe për të pasur një ide të qartë, si dhe sa teknologjia mund të përdoret dhe nga gjithë puna, kemi arritur në konkluzionin që futja e teknologjisë në një sistem ofline për të mos lejuar penetrime dhe hakerime që mund të shkatërrojnë procesin zgjedhor është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira jo të vogla në raport me nevojat që kemi dhe kështu ne bëmë të gjithë përpjekjen tonë, që të fillonim me zgjedhjet lokale të 2019-ës me 1 projekt pilot ku të mund të shihnim konkretisht rezultatin dhe të nxirrnim konkluzionin dhe shtrirjen e sistemit”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
Ndërkohë, vijoi Rama, koha vrapoi dhe përtej faktit që ne kemi humbur shumë kohë dhe jemi përsëri si tradicionalisht në metrat e fundit para një vendimi të rëndësishëm që duhet marrë në Bruksel për Shqipërinë ka një një të mirë të vetme kjo e keqe që e tregon me fakt jo me llafe.
“Pavarësisht se ne mund ta bëjmë këtë proces në mënyrë të njëanshme, pavarësisht se ne mund të gjenim votat në këtë parlament pa pritur asnjë lloj konsensusi apo autorizimi nga ata që e braktisën parlamentin, ne nuk e bëmë ketë dhe më shumë se një herë i shtymë afatet që i kishim vënë vetes në funksion të të bërit të gjësë së duhur, më shumë se një herë duke e konsideruar të rëndësishme ezaurimin e të gjitha mjeteve dhe të gjithë kohës në dispozicion për të arritur një marrëveshje mbi rregullat e lojës”.
“Sepse kur përcaktohen rregullat e lojës është e drejtë që të gjitha palët e përfshira të kenë zërin dhe të drejtën që të kërkojnë korrektimin apo dakordësimin brenda rregullave të lojës”, – tha Rama.
/k.s/ /a.g/