Në Njësinë Administrative Tregan, Bashkia Elbasan po kryen një investim të rëndësishëm për ndriçimin e lagjes Llixhë-Hidraj. Në një bashkëpunim të ngushtë me Giz, ky investim do të bëjë të mundur paisjen me ndriçim LED një aks rrugor të frekuentuar nga më shumë se 600 banorë të asaj zone. Tregani është i njohur për turizmin kurativ, dhe frekuentohet nga mijëra turistë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin të kurohen në Llixhat e Treganit.

Drejtori i Agjensisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Elbasanit, Klinsi Lala, gjatë monitorimit të punës në këtë njësi administrative është shprehur për Tv Skampa, se investimi në lagjen Hidraj të Treganit, do t’u vijë në ndihmë jo vetëm 600 banorëve të kësaj zone, por të gjithë  atyre që zgjedhin të pushojnë në këto llixha kurative.

Ndër të tjera Lala është shprehur se Agjensia e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Elbasanit është duke punuar intensivisht, jo vetëm në qytet, në mirëmbatjen e parqeve apo rikonstruksionin e rrugëve të qytetit, por edhe në njësi të ndryshme administrative. Bashkia e Elbasanit është munduar që t’u shërbejë të gjithë banorëve të saj, pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo në njësitë administrative.