ATSH/ – Një ndërhyrje kirurgjikale e kryer në ”Istitutin Ortopedik Rizzoli” të qytetit të Bolonjës ka bërë të mundur shpëtimin e këmbës së një pacienteje nga një tumor me peshë 11 kilogramë, i cili shtrihej nga ijët deri te kyçi i këmbës, shkruan insalutenews.it.
Bëhej fjalë për një liposarkomë, një tumor malinj i rrallë dhe jashtëzakonisht agresiv që prek indet e buta.
Masa tumorale mbështillte përgjatë gjithë gjatësisë së saj si enët kryesore të gjakut të gjymtyrës, ashtu edhe nervin shiatik.
Një lokalizim veçanërisht delikat që, i kombinuar me përmasat e jashtëzakonshme të tumorit, e bënte heqjen kirurgjikale tepër të vështirë.
Për shkak të përhapjes së masës dhe përfshirjes së strukturave anatomike jetike, amputimi i këmbës në nivelin e kofshës mund të kishte qenë një nga opsionet terapeutike.
Megjithatë, ekipi mjekësor arriti të realizojë me sukses një ndërhyrje konservative, që zgjati rreth pesë orë, duke e hequr plotësisht tumorin dhe duke ruajtur funksionalitetin e gjymtyrës.
“Rizzoli është një qendër referimi ndërkombëtare për tumoret e aparatit muskulo-skeletor, ku përfshihen edhe sarkomat e indeve të buta, ndaj jemi të mësuar të përballemi me kompleksitetin klinik dhe kirurgjikal që ato sjellin”, shpjegojnë kirurgët ortopedë Luca Cevolani, Marco Colangeli dhe Nikolin Ali të Klinikës 3 të Ortopedisë Onkologjike të Rizzolit, e drejtuar nga Davide Maria Donati.
“Ky rast ishte vërtet i veçantë. Falë një planifikimi të kujdesshëm dhe punës multidisiplinare kirurgjikale, si dhe mbështetjes së strukturës së Anestezisë dhe Reanimacionit të drejtuar nga Alessandro Ricci, së bashku me personelin infermieror dhe teknik të sallës së operacionit, ishte e mundur të hiqej në mënyrë të sigurt e gjithë masa tumorale, duke e rikthyer këmbën në një gjendje anatomike sa më pranë normales dhe duke ruajtur funksionalitetin e saj”, thuhet të deklaratën e Rizzolit.
Pacientja, e ardhur nga rajoni i Abruzzo, ka mundur tashmë të ngrihet në këmbë dhe të ecë, duke nisur rehabilitimin fizioterapeutik të nevojshëm për rikthimin e lëvizshmërisë së gjymtyrës së operuar. /os/



























