ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) gjatë periudhës janar-nëntor 2020 llogariten në vlerën 33.7 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 22.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019 dhe po ashtu 3 miliardë ose 8.3% më pak se plani për periudhën.

Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga ky zë rezultuan 9.4 miliardë ose 21.8% më pak se plani fillestar për vitin 2020.

Faktori kryesor në mosrealizimin e tatimit mbi të ardhurat personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Në periudhën korrik-shtator, kohë pas rihapjes së aktivitetit ekonomik, tregu i punës ka arritur të rikuperojë 34 mijë vende pune të humbura, pas 50 mijë të papunëve që krijoi karantinimi i ekonomisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, niveli i papunësisë arriti në 11.6%, nga 11.9% që ishte në fund të qershorit, por 0.2% më i lartë se një vit më parë.
Industria dhe shërbimet kanë qenë motori i rritjes së vendeve të punës në këtë periudhë që përkon edhe me sezonin turistik. /j.p/