ATSH/ Ushqyerja me gji mbetet mënyra më e mirë për të siguruar një rritje dhe zhvillim të shëndetshëm të foshnjës, ndërsa përfitimet e saj janë të rëndësishme si për beben, ashtu edhe për nënën.

Mjekja neonate pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, dr. Alma Hysa thekson rëndësinë e ushqyerjes me gji, duke e cilësuar atë si standardin e artë për bebet në muajt e parë të jetës.

Sipas Hysës, qumështi i gjirit përmban të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme për foshnjën dhe përshtatet me nevojat e saj në periudha të ndryshme të zhvillimit, duke nisur që nga kulloshtra menjëherë pas lindjes.

“Qumështi i gjirit ka aftësinë të përshtatë nevojat ushqyese të bebit, duke ndihmuar në një rritje sa më të shëndetshme”, shprehet ajo.

Një tjetër përfitim i rëndësishëm, sipas mjekes, është përmbajtja e lartë e antitrupave dhe faktorëve që forcojnë imunitetin e foshnjës, duke e mbrojtur atë nga infeksionet.

Hysa nënvizon faktin se qumështi i gjirit është gjithmonë i gatshëm, pa kosto, në temperaturën e duhur dhe ndihmon në krijimin e një lidhjeje të fortë emocionale mes nënës dhe fëmijës.

Përfitimet e ushqyerjes me gji shtrihen edhe te nëna. Sipas pediatres Hysa, ajo ndihmon në rikuperimin pas lindjes, ul rrezikun për disa sëmundje në vazhdimësi dhe forcon lidhjen emocionale me foshnjën.

Në mesazhin e saj për nënat, Hysa këshillon që ato të kërkojnë mbështetje dhe ndihmë gjatë procesit të ushqyerjes me gji, qoftë nga familjarët, qoftë nga profesionistët e shëndetit.

“Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i ndihmojmë nënat për një ushqyerje sa më të shëndetshme dhe për rritjen e bebeve të shëndetshme”, u shpreh ajo.

/e.i/j.p/r.e/