TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Dritan Shpati, mjek pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përmes një thirrje për kujdes veçanërisht nga gratë shtatzëna, ka kërkuar që të respektohen të gjitha rregullat e vendosura në kuadër të situatës së pandemisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndarë mëngjesin e së hënës, mesazhin e tij ndër të cilat thotë se nuk duhet menduar që kjo pandemi është drejt fundit.

“Kam një thirrje dhe një lutje për gratë shtatzëna, që duhet të kenë jashtëzakonisht kujdes, sepse ato duhet të kujdesen për dy jetë. Një lutje edhe për bashkëshortët, familjarët, që vijnë në spital: Distancim, mbajtja e maskës, larja e duarve, higjienë perfekte. Nuk duhet menduar se kjo pandemi është drejt fundit”. Ju lutem dëgjoni apelin e doktor Dritan Shpatit nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë””, shprehet ministrja.

Mjeku Shpati thotë se aktualisht jemi në një fazë të re të COVID, ndaj apelon për më shumë kujdes për gratë shtatzëna.

“Jemi në një fazë të re të COVID-it. Nënat shtatzëna duhet të kenë jashtëzakonisht kujdes sepse ato kanë dy jetë, duhet të kujdesen për veten e tyre dhe jetën e bebes që kanë në bark. Një lutja kisha jo vetëm për gratë shtatzëna, bashkëshortët, familjarët, njerëzit që vijnë në spitalin tonë për të kërkuar ndihmë. Jemi përsëri në një fazë të re të COVID-it duke pasur parasysh edhe shtimin e rasteve. Distancimi, mbajtja e maskës, larja e duarve, higjiena perfekte. Nuk duhet menduar që kjo pandemi po shkon drejt fundit. Duhet të kemi parasysh diçka: kemi bërë një sakrificë të jashtëzakonshme në muajt e karantinës dhe nuk duhet që këtë lloj sakrifice ne ta hedhim poshtë”, tha ai.

Sipas doktor Shpatit, maska dhe respektimi i distancës janë çelësi i suksesit në këtë periudhë nëpër të cilën po kalojmë.

“Pavarësisht stinës së verës, unë do të rekomandoja jashtëzakonisht kujdes për nënat shtatzënë, për gratë që vijnë në repartet e gjinekologjisë për të kryer kërkuar ndihmë si dhe gratë që vijnë nga ambulatory. Distanca, respektimi i distancës, mbajtja e maskës pa e hequr në asnjë çast dhe pastërtia, larja e duarve. Për fat të mirë, falë punës së këtij stafi, spitali ynë nuk ka pasur raste. Personeli jonë është i shëndetshëm, kështu që po përpiqemi ta ruajmë më një sakrificë jashtëzakonisht të madhe, këtë arritje të cilën kemi. I premtojmë grave shtatzëna dhe të tërë njerëzve që do të kërkojnë ndihmë në spitalin tonë, që kjo sakrificë do të vazhdojë deri në zhdukjen e kësaj pandemie. Gjithashtu kërkojmë bashkëpunim dhe një përkujdesje të jashtëzakonshme edhe nga njerëzit që vijnë të kërkojnë ndihmë tek ne”, theksoi ndër të tjera ai.

ATSH