TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Kali i Qyqes, një shpend madhështor dhe shumë i rrallë, është fotografuar në Nivicë të Kurveleshit.

I lindur në këto male ai shtegton çdo dimër në brendësi të Afrikës duke u kthyer çdo pranverë në shtëpinë e tij.

Kali i Qyqes është ndoshta krijesa më besnike e këtyre maleve që nuk i braktis kurrë, vetëm 12 individë kanë mbetur në Shqipëri.

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, (PPNEA) bën të ditur se “Kontrolli i parë i kamerave kurth në stacionin e dytë me ushqim plotësues, solli lajme pozitive lidhur me rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri. Prej fotografive dëshmuam vizitat e përsëritura të një individi të Kalit të Qyqes, çfarë tregon se stacioni e ka justifikuar funksionin e tij, furnizimin me ushqim të sigurt për këtë lloj të rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje”.

“Kurthet e helmatisura janë një problem serioz, të cilat ndodhin shpesh në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke u shndërruar në një prej kërcënimeve kryesore ndaj kalit të qyqes, popullata e të cilit është ulur në 45 çifte përgjatë të gjithë Ballkanit”, shprehet PPNEA.

PPNEA, prej disa vitesh, ka ndërmarrë masa konkrete në ruajtjen dhe rimëkëmbjen e popullatës së Kalit të Qyqes, duke përfshirë ndërtimin e dy stacioneve me ushqim plotësues në jug të Shqipërisë, izolimin e shtyllave elektrike për mbrojtjen nga elektroshoku, formalizimin e rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”, etj.

PPNEA falënderon bashkinë Tepelenë, Projektin “Nivica”, Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gjirokastër dhe rrjetin “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”, të cilët e përkrahën nismën e ndërtimit të një stacioni ushqimor, duke ndihmuar edhe në ngritjen dhe mirëmbajtjen e tij.

Dy stacionet me ushqim plotësues u ndërtuan me mbështetjen e CEPF dhe mirëmbahen nga projekti “Egyptian Vulture New Life”.

Kali i Qyqes apo Egyptian Vulture është një shpend emblematik. I hasur që në hireoglifet e Piramidave të Egjiptit si një krijesë e shenjtë.

Kali i qyqes (Neophron percnopterus) është ndër shkabat e mëdha në Shqipëri. Është një shpend që karakterizohet nga një ngjyrë e bardhë, pendë fluturimi të zeza dhe ngjyra e sqepit është e verdhë.

Llogaritet si një ndër shpendët më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra. Kali i qyqes është lloj i rrezikuar globalisht dhe gjatë 30 viteve të fundit popullsia e këtij lloji në Ballkan ka rënë me më shumë se 80%. Arsyet për këtë mund kanë të bëjnë me kërcënimet që ky lloj has, jo vetëm në territoret e folezimit në Ballkan, por edhe gjatë korridoreve të shtegtimit. Nga katër llojet e shkabave të cilat folezojnë në Palearktikun Perëndimor, kali i qyqes është i vetmi lloj i cili shtegton rregullisht në distanca të gjata.

ATSH