ATSH-AFP/ – Një re e dendur tymi dhe hiri vullkanik është lëshuar nga Etna, një nga vullkanet më aktivë në botë, duke detyruar aeroportin e Katanias në Siçili të pezullojë përkohësisht fluturimet në mbërritje.

Autoritetet e aeroportit njoftuan se hapësira ajrore në zonën e përfshirë nga reja e hirit është mbyllur për shkak të aktivitetit vullkanik.

Sipas aeroportit, të gjitha fluturimet në mbërritje janë pezulluar deri në orën 12:00 me orën lokale, ndërsa nisjet nga aeroporti po vijojnë normalisht për momentin.

Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën, pasi hiri vullkanik mund të përbëjë rrezik serioz për motorët e avionëve.

Aktiviteti i vullkanit po ndiqet nga Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, i cili po publikon edhe pamje të drejtpërdrejta të shpërthimit.

Etna, me lartësi 3,324 metra, është vullkani aktiv më i lartë në Evropë dhe ka pasur shpërthime të shumta gjatë historisë së tij.

Aeroporti ndërkombëtar i Katanias është një nga nyjet kryesore ajrore të Siçilisë.

Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 12 milionë pasagjerë kaluan nëpër këtë aeroport, i cili u shërben zonave turistike të pjesës lindore të ishullit.

Pezullimet e fluturimeve për shkak të hirit vullkanik janë një dukuri që përsëritet gjatë periudhave të aktivitetit të shtuar të Etnës. /Ad.Ab./  a.jor.