ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat reagoi sot pas akuzave të ngritura nga Presidenti lidhur me rrëzimin e tre dekreteve të të tij.
Përmes një reagimi drejtuar Kuvendit, Presidenti thotë “se kthimi i tre ligjeve që denoncojnë anti-kushtetutshmërinë e tyre, cënimi i interesit publik e kombëtar, si dhe cënimin e financave të shtetit me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh, përbëjnë korrupsion legjislativ. Ky veprim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese të transparencës në procesin legjislativ”.
Në një deklaratë për shtyp, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shpreh angazhimin për të kryer sa më mirë detyrat legjislative.
Sipas Komisionit, gjatë kësaj kohe është punuar me përfaqësues të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Turizmit dhe Mjedisit, Mbrojtjes, Autoritetit të Konkurencës, Agjencisë Sigurimit Depozitave, AKSHI dhe AADF.
“Ky proces rishikimi dhe konsultimi, falë edhe ballafaqimit me praktikat e ngjashme juridike të vendeve të BE por edhe më gjerë, si dhe nevojës për të transpozuar në legjislacionin tonë Direktiva të caktuara të BE, prodhoi akte ligjore të cilat u miratuan në shumicën e herëve me votim unanim në Komision”, thuhet në deklaratën e Komisionit.
Sipas Komisionit, ligjet kaluan për shpallje në institucionin e Presidentit dhe çuditërisht deri më sot 7 nga 11 prej tyre u kthyen sërish për rishqyrtim.
“Padyshim që Presidenti veproi në zbatim të Kushtetutës, specifikisht nenit 85 të saj, duke sjellë në Kuvend dekretet përkatëse. Por edhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat, me cilësinë e komisionit përgjegjës, bazuar në nenin 86, dhe 32-38 të Rregullores së Kuvendit, i mori në shqyrtim dekretet e Presidentit, vetëm për çështjet e paraqitura në arsyetimin për kthim nga ana e Presidenti të Republikës, të secilit ligj më vete”, vijon deklarata.
Sipas rregullores së Kuvendit, citohet deklarata, Komisioni nuk ka asnjë detyrim ligjor të shkruar të thërrasë zyrën juridike të Presidentit në mbledhjet e tij kur shqyrton dekretin përkatës.
“Relatori i projekt ligjit mbeti i njëjti deputet me atë që analizoi edhe çështjet e ngritura në dekretin e Presidentit, pikërisht për të pasur një vijueshmëri të logjikës legjislative, por në çdo rast relatori hartoi një raport me shkrim, shterues në argumente për çdo arsyetim të pretenduar nga Presidenti, dhe të dërguar për të pranuar ose rrëzuar dekretin. Këto ligje që janë kthyer tashmë në Parlament janë diskutuar më parë në Komision me debat të qartë dhe profesional, janë shqyrtuar në parim, nen për nen dhe në tërësi. Procesverbalet e këtyre mbledhjeve janë publike të vendosura tashmë në faqen zyrtare të Kuvendit”, bën të ditur Komisioni.
Sipas Komisionit, asgjë nuk është fshehur, çdo gjë është e hapur dhe transparente.
“Komisioni në respekt të institucionit të Presidentit të Republikës ka shqyrtuar pikë për pikë dhe me përgjegjësinë maksimale çdo pretendim të ngritur prej tij në dekret. Çdo arsyetim i dhënë nga Presidenti është relatuar, dhe është kundërshtuar ose mbrojtur sipas rastit, dhe pranuar kur ka qenë e nevojshme, duke e bërë gjithçka transparente”, thuhet më tej në deklaratë.
Komisioni shprehet se do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje edhe çdo sugjerim që vjen nga shoqatat e profesionistëve brenda vendit dhe organizatat ndërkombëtare, dhe t’i reflektojë ata në procesin ligjbërës.
Por, mbetet i qëndrimit se procesi nuk ka asnjë shkelje të ligjit apo rregullores.
Komisioni shpreh gatishmërinë për tu përballur me organet e drejtësisë lidhur me procedurat që ka ndjekur.
“Patjetër që Komisioni përballet me çdo prokurori dhe me SPAK, sepse qëllimi i tij është dhe mbetet të realizojë një proces legjislativ sa më transparent, gjithëpërfshirës dhe të përafruar me BE. Komisioni për Ekonominë dhe Financat, do të vazhdojë të ruajë të njëjtat standarde transparence dhe profesionalizmi me të cilat punon sot Kuvendi i Shqipërisë”, citohet deklarata e shpërndarë nga Komisioni./a.gjonaj/ /a.a/