Kjo veprimtari organizohet në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet Akademisë së Shkencave e të Arteve e Kosovës (AShAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh).
Konferenca ka bërë bashkë studiues të njohur, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve shkencore nga Shqipëria dhe Kosova.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ndërkombëtar është diskutimi i qasjeve shkencore mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore, zhvillimin e energjisë së rinovueshme, mbrojtjen e ekosistemeve mjedisore, si dhe aplikimin e teknologjive inovative për monitorimin dhe trajtimin e ndotësve në ujë.
Tematikat kryesore të punimeve të konferencës, përfshijnë burimet ujore dhe potencialin energjetik në rajon, energjitë e rinovueshme dhe strategjitë për ruajtjen e energjisë, teknologjitë e avancuara për trajtimin e ujit dhe eliminimin e ndotësve, si dhe menaxhimin e integruar të ujërave në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.
Prof. Zydi Teqja, anëtar i njësisë “Pasuritë ujore” pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti referatin kryesor.
Në kuadër të projekteve kërkimore-shkencore të kësaj njësie, u paraqitën kumtesat dhe rezultatet e studimeve nga akad. Besnik Baraj, prof. Adem Bekteshi, prof. Valbona Kolaneci, prof. Amilda Ballata, dr. Rozarta Nezaj, prof. Edlira Tako, dr. Orjada Hyska, dr. Ervis Krymbi dhe msc. Ana Ameda.
Punimet e konferencës vijojnë me platformën për rekomandimet politikëbërëse dhe strategjike në menaxhimin e pasurive ujore në hapësirën mbarëshqiptare.



























