ATSH/- Drejtori i Bujqësisë në bashkinë Korçë, Vullnet Gjolla u shpreh për ATSH-në se, “sektori i bujqësisë pritet të shënojë një rritje prej 5,5% deri 6% gjatë vitit 2020, nga 4% që ishte një vit më parë”.

“Gjatë vitit 2020 i është kushtuar vëmendje e veçantë zgjerimit të sipërfaqeve me serra dhe rritjes së standardeve të prodhimit dhe eksporteve sidomos me vendet e BE-së, ç’ka sjellë pritshmëritë për rritjen e përgjithshme të prodhimit bujqësor në bashkinë Korçë”, tha Gjolla për ATSH.

Një tjetër fakt i rëndësishëm, theksoi ai, është rritja e prodhimit bujqësor për kulturat që kërkon tregu, ç’ka ka sjellë rritjen e sipërfaqeve të mbjella me perime të freskëta duke reduktuar sipërfaqet e mbjella me patate, që dominonin ndjeshëm në strukturën e prodhimit.

Ndërsa vijon rritja e prodhimit të mollëve, pemëve frutore që kryesojnë edhe eksportet bujqësore nga rajoni i Korçës.

Duke iu referuar shifrave, Gjolla tha se, “këtë vit është rritur sipërfaqja e mbjellë me mollë në 3500 ha, ku pritet një prodhim prej 75 mijë tonë, 1700 ha janë mbjellë me rrush, ku pritet një prodhim prej 11 mijë tonë, kundrejt 10 mijë tonëve që ishin në 2019. Me pemëtoret qershi, dardhe, kumbulla, arrore janë mbjellë 720 ha nga 700 ha vitin e kaluar dhe pritet një prodhim prej 9 150 tonë, për të vijuar me perimet e fushës dhe të serave që parashikohet të rritet në mbi 80 mijë tonë prodhimi i përgjithshëm i tyre me mbi 3 mijë ha të mbjella”.

Gjolla tha për ATSH se, “impakt në rritjen e prodhimit bujqësor kanë dhënë skemat e mbështetjes financiare me fonde nga buxheti i shtetit si dhe programi IPARD, ku rajoni i Korçës renditet në vendin e tretë për përthithjen e këtyre financimeve, që i kanë dhënë mbështetje rritjes së investimeve të bujqësi dhe agroindustrisë korçare, duke prodhuar rritje të ardhurash për ekonominë rurale të zonës”. e.xh//a.a/