ATSH/- Kredia për kompanitë private është rritur me 7.5%, gjatë muajit nëntor 2020.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, rritja e kredisë për biznesin është mbështetur nga kredia e dhënë për investime, ku kryesojnë sektorët energji, ndërtim, tregtia me shumicë dhe pakicë, turizmi dhe aktivitete të tjera shërbimi.

Bankat tregtare në vend kanë vijuar kreditimin e ekonomisë, pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia.

Krahas zgjerimit të huadhënies kredia për biznesin duket se është mbështetur edhe nga skemat e garancisë sovrane dhe nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik që ka nisur rigjallërimin.

Portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën 595.8 miliardë lekë, në fund të nëntorit 2020. e.xh/