ATSH/ Në Këshilli i Ministrave ka përcaktuar procedurat për referimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për kujdes alternativ në familje, si dhe kriteret dhe instrumentet për vlerësimin periodik të situatës së tyre.

Vendimi i qeverisë i miratuar në mbledhjen e sotme ka për qëllim të garantojë një proces referimi dhe menaxhimi të rasteve të fëmijëve në nevojë për kujdes alternativ në familje të koordinuar, të standardizuar e të bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, kur fëmija është në nevojë për mbrojtje dhe/ose i propozohet apo vendoset në kujdes alternativ në familje.

Ky vendim rregullon procedurat, që lidhen me referimin, menaxhimin e rasteve dhe vlerësimin periodik të fëmijëve, për të cilët është konstatuar ose propozohet nevoja për kujdes alternativ në familje, në përputhje me autorizimin ligjor përkatës.

Sipas vendimit, procedurat zbatohen për fëmijët për të cilët është konstatuar ose propozohet nevoja për kujdes alternativ në familje, si dhe për ata që janë vendosur tashmë në këtë formë kujdesi, qoftë vullnetare apo profesionale, dhe që duhet t’i nënshtrohen vlerësimit periodik.

Përgjegjësinë kryesore për koordinimin e menaxhimit të rastit e ka njësia ose punonjësi për mbrojtjen e fëmijës në bashki, i cili ndjek procesin gjatë gjithë periudhës së mbrojtjes dhe kujdesit alternativ. Detyrat e tij përfshijnë vlerësimin fillestar dhe të plotë të situatës së fëmijës, administrimin e dokumentacionit, hartimin dhe përditësimin e planeve individuale të mbrojtjes e të kujdesit, si dhe koordinimin me institucionet dhe profesionistët e përfshirë.

Rasti duhet të referohet menjëherë pranë njësisë për mbrojtjen e fëmijës kur evidentohen rrethana që tregojnë se një fëmijë rrezikon të humbasë kujdesin prindëror, e ka humbur atë ose mund të ketë nevojë të vendoset në kujdes alternativ në familje. Referimi mund të kryhet nga çdo person fizik ose juridik, institucion publik apo jopublik, strukturë arsimore ose shëndetësore, Policia e Shtetit, ofrues të shërbimeve të kujdesit shoqëror, organizata dhe profesionistë që marrin dijeni për situata të tilla.

Në rastet kur fëmija ndodhet në rrezik të menjëhershëm, referimi dhe ndërhyrja kryhen pa vonesë, duke marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së tij. Informacioni dhe dokumentacioni i disponueshëm për rastin regjistrohen dhe administrohen në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ruajtjen e konfidencialitetit.

Kur nga vlerësimi i plotë dhe shqyrtimi nga grupi teknik ndërsektorial rezulton se fëmija ka nevojë për kujdes alternativ në familje, kjo nevojë dhe ndërhyrjet përkatëse pasqyrohen në planin individual të mbrojtjes. Punonjësi përgjegjës paraqet rastin, së bashku me vlerësimin dhe dokumentacionin përkatës, pranë komisionit shumëdisiplinar për kujdesin alternativ në familje, i cili vijon me procedurat e vlerësimit dhe vendimmarrjes sipas kompetencave ligjore.

Një element i rëndësishëm i vendimit është vlerësimi periodik i detyrueshëm i situatës së fëmijës, me qëllim verifikimin nëse kujdesi alternativ vazhdon të jetë në interesin më të lartë të tij, nëse kushtet e përkujdesjes janë të përshtatshme dhe nëse plani individual i kujdesit po zbatohet në mënyrë efektive. Ky proces zhvillohet gjatë gjithë periudhës së vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ, deri në përfundimin e masës ose kalimin në një formë tjetër kujdesi.

Monitorimi parashikon vizita në familjen kujdestare, intervista me fëmijën dhe familjen, si dhe konsultime me institucionet dhe shërbimet e përfshira në planin individual të kujdesit. Vlerësimi kryhet duke marrë parasysh gjendjen dhe nevojat e fëmijës, marrëdhëniet me familjen kujdestare dhe atë biologjike, si dhe faktorët që mund të ndikojnë në sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin e tij.

Vendimi përcakton gjithashtu se fëmija duhet të dëgjohet individualisht, në një mjedis të përshtatshëm, të sigurt dhe konfidencial, pa praninë e familjes kujdestare. Mënyra e komunikimit duhet të përshtatet me moshën, nivelin e zhvillimit dhe nevojat specifike të fëmijës, përfshirë rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Rezultatet e vlerësimit dokumentohen në një raport të arsyetuar me shkrim, ku pasqyrohen situata aktuale, zbatimi i planit individual të kujdesit dhe rekomandimet për vijimësinë e masës. Në varësi të gjetjeve, mund të rekomandohet vazhdimi i kujdesit alternativ, rishikimi i planit individual, ndryshimi i familjes kujdestare, përgatitja për riintegrim në familjen biologjike ose aktuale, si dhe referimi për birësim apo për një zgjidhje tjetër të qëndrueshme.

Kur vlerësimi evidenton se masa e kujdesit alternativ nuk është më në interesin më të lartë të fëmijës, punonjësi për mbrojtjen e fëmijës duhet të ndërmarrë procedurat përkatëse administrative dhe, kur kërkohet nga legjislacioni, t’i drejtohet gjykatës për rishqyrtimin e masës së mbrojtjes.

Në proces përfshihen njësitë e mbrojtjes së fëmijës në bashki, strukturat vendore të shërbimeve shoqërore, grupet teknike ndërsektoriale, komisionet shumëdisiplinare, Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat e tij rajonale, si dhe institucione e organizata të tjera sipas kompetencave përkatëse.

Vendimi parashikon dokumentimin dhe regjistrimin e raporteve të vlerësimit periodik në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, ndërsa Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat rajonale të tij monitorojnë zbatimin e detyrimit për vlerësim periodik.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/