ATSH/ Këshilli bashkiak Kukës miraton mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar, (Tulipa albanica), i cili ndodhet në një sipërfaqe prej 72 ha në fshatin Surroj.
Me miratimin e këtij vendimit shënohet hapi i parë zyrtar i mbrojtjes së Tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen dhe advkokimin e Institutit të Politikave Mjedisore dhe falë punës së palodhur të ekspertëve mjedisorë . Ky vendim u konfirmua edhe nga prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana.
Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.
Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë.
Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.
Biologu Besnik Hallaçi është shprehur se “edhe revista e njohur shkencore “Phytotaxa” në artikullin “Tulipa albanica (Liliaceae), a new species from northeastern Albania”(Tulipani shqiptar –(Liliaceae), një specie e re nga Shqipëria Verilindore), ka publikuar zbulimin e një lloji të ri tulipani në Shqipëri”.
Zbuluesit e kësaj specie janë Prof As. Dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me Prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit. Danimarkë.
Sipas Hallaçit, analizat gjenetike të këtij lloji të ri tulipani janë kryer nga Prof. Sonja Siljak-Yakovlev e departamentit të Ekologjisë në Universitetin e Parisit.
Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114./k.s/