ATSH-A. Fortuzi/- 135 000 të moshuar do të përfitojnë drejtpërdrejt nga projektligji i qeverisë për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve mbi 75 vjeç, të cilët nuk do të jenë më të detyruar të rinovojnë letërnjoftimin e tyre elektronik, pasi karta e identitetit e tyre në posedim do jetë e vlefshme deri në fundin e jetës.

Artemis Dralo, deputete e Partisë Socialiste, nga foltorja e Kuvendit, argumentoi sot rëndësinë e projektligjit për “për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, ku theksoi se është në përputhje me kushtetutën dhe lehtëson jetën e të moshuarve dhe kategorive të tjera përfituese.

“Në kohën e duhur dhe mëse i nevojshëm vjen ky akt normativ për shtyrjen e afatit për vlefshmërinë e letërnjoftimeve. Ky akt synon të parandalojë grumbullimin e shtetasve në sportelet e aplikimit për rinovimin e letërnjoftimit me synimin e evitimit të infektimit të mundshëm të tyre nga COVID-19. Ndër efektet e pritshme të këtij akti normativ është lehtësimi i ofrimit të shërbimit nga çdo institucion në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh ajo.

“Gjithashtu shtetasit shqiptarë lehtësohen pasi në pamundësi të pajisjes me një letërnjoftim të ri për shkak të gjendjes së krijuar, afati i letërnjoftimit ekzistues shtyhet deri në përfundim të gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19. Ky akt është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë”,- tha Dralo.

“Gjithashtu dhe në asistencë dhe vëmendje për moshat e treta, projektligji për letërnjoftimin elektronik të propozuar nga Ministria e Brendshme, ka për qëllim zgjidhjen e problematikës së pajisjes me letërnjoftim elektronik të moshave të treta mbi 75 vjeç. Sipas statistikave të regjistrit civil, në këtë kategori rezultojnë të regjistruar 145 000 shtetas të moshës mbi 75 vjeç. Nga ky numër rezulton se 135 000 shtetas janë përfitues konkret nga ky ndryshim ligjor, pasi do kenë letërnjoftim të vlefshëm sa jetëgjatësia e tyre. Në vendin tonë, sipas kompanisë Aleat, rezultojnë të prodhuara 5 218 457 letërnjoftime elektronike. Nga kjo sasi vetëm 44 368 letërnjoftime janë prodhuar gjatë muajit qershor, shifër jo e vogël duke parë problematikën e shkaktuar nga Covid-19. Prandaj miratimi i këtij ligji vjen me një rëndësi të veçantë dhe në uljen e fluksit të aplikimeve dhe grumbullimeve në sportelet e rinovimit të letërnjoftimit elektronik, duke mënjanuar radhët e krijuara nga nxitimi, si dhe duke larguar nga radhët të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Dralo. /j.p/