ATSH/- Ligji i ri për “Shërbimin Veterinar”, parashikon vaksinimin dhe matrikullimin e kafshëve blegtorale, falas, pa asnjë pagesë.

Në seancën plenare të së enjtes, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha se, “ndryshimet në këtë ligj, hedhin themelet në mirë organizmin dhe funksionimin e shërbimit veterinar në të gjithë vendin, duke garantuar hapjen e eksporteve blegtorale shqiptare në tregjet e huaja”.

Pr.ligji, vijoi ministri, tenton një organizim rrënjësorë dhe unifikim të kompetencave duke plotësuar kështu edhe një nga detyrimet që Shqipëria ka në përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe detyrimit që buron nga anëtarësia e Shqipërisë në Organizatën e Shëndetit të Kafshëve.

Çuçi tha se, ndryshimet ligjore forcojnë punën e Agjencisë Shtetërore të Shërbimit Veterinar bashkë me 4 Agjencitë Rajonale të kontrollit, duke garantuar sigurinë ushqimore në zinxhirin ushqimor, para dhe pas therjes së kafshëve në tregje dhe fermat private të fermerëve.

Sipas tij, në terma konkret menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, fermerët përfitojnë  vaksinimit falas për të gjitha sëmundjet e kafshëve blegtorale, të përfshira në programin kombëtar të vaksinimit. “Kosto financiare që do të mbulohet nga buxheti i shtetit që llogaritet në mbi 1 milion euro në vit” – tha ministri ndërsa shtoi se gjithashtu fermerët përfitojnë matrikullim falas të bagëtive.

“Mbi 2 milionë euro në vit arrin kosto për regjistrimin e kafshëve, por me këtë reformë këtë 2 milionë euro do t’i mbeten fermerit, krahas mbulimit me shërbim veterinar, në të gjithë territorin e vendit”- tha Çuçi.

Ai vuri në dukje se reforma do të shtojë numrin e të punësuarve në këtë sektor.

“Nëpërmjet punësimit shtetëror 400 veterinerë do të punësohen si fillim në këtë sektor, krahas thithjes së angazhimeve të reja në punë që kërkon sektori për studentët që mbarojnë shkollën e lartë për biokimi, peshkim e veterinari”- tha Çuçi.

Ministri theksoi se, 3 milionë euro në vit përfitojnë blegtorët në Shqipëri nga kjo reformë, krahas skemës kombëtare të mbështetjes që adreson këtë vit, rreth 80% të fondeve subvencion për blegtorinë. e.xh//a.a/