Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri, UNDP e konsideron një lajm të mirë, miratimin sot nga Parlamenti i Shqipërisë ligjin për mbrojtjen e biodiversitetit.

UNDP shprehet se në sajë të këtij amendimi, plotësohet kuadri ligjor shqiptar në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Protokolli i Nagoyas.

“Ligji i amenduar ka si qëllim, ndër te tjera, identifikimin dhe funksionimin e rrjetit të autoriteteve kombëtare përgjegjëse për zbatimin e protokollit të Nagojës në vend. Gjithashtu, nëpërmjet këtij akti do të hapet rruga për vendosjen e mekanizmave të miratimit paraprak të informuar dhe të kushteve të dakordësuara reciprokisht midis ofruesve dhe përdoruesve të burimeve gjenetike vendase. Në këtë mënyrë sigurohen dispozitat ligjore për marrjen e përfitimeve nga komunitetet lokale që ofrojnë burimet gjenetike vendase. Nëpërmjet këtij amendimi u transpozua rregullorja “Mbi masat e pajtueshmërisë për përdoruesit nga Protokolli i Nagoyës për aksesin në burimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i tyre në BE në zbatim të Protokollit të Nagoyas”, shprehet UNDP.

Po ashtu, UNDP thekson se “Shqipëria aderon në Protokollin e Nagojës që nga viti 2012 me anë të ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Nagoyës për aksesin në burimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë e të barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i tyre”, të Konventës së biodiversitetit “Për larminë biologjike”.

“Ndër 23 vende pjesëmarrëse në këtë iniciative, Shqipëria është një nga 4 vendet që ka krijuar një ligj të tillë. Ky Ligj u hartua me asistencën e projektit “Forcimi i Burimeve Njerëzore, kuadrit ligjor dhe kapaciteteve institucionale për zbatimin e Protokollit të Nagoyas” të zbatuar nga UNDP dhe Fondi Global i Mjedisit Global Environment Organisation”, shprehet UNDP.