/ATSH – I. Vata/- Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, dhe Qendrës CVE, për funksionimin e Linjës Telefonike (mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Hedayah, përmes fondeve të Bashkimit Europian).
Lançimi i linjës telefonike për ekstremizmin e dhunshëm 0800 45 45 dhe qendrës për siguri dhe paqe Shqipëri, synohet të parandalohet dhe luftohet radikalizimi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri duke ofruar shërbime mbështetëse dhe këshillim, shërbime ri-integruese, ndërgjegjësimin e publikut, ngritje kapacitetesh për profesionistët dhe punë kërkimore.
Zëvendës Ambasadori në Detyrë dhe Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane, Brian Beckmann mori pjesë sot në aktivitetit për prezantimin e burimeve shtesë së Qendrës Kombëtare për Ndihmë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm.
Në fjalën e tij, Beckmann tha se “jam shumë i lumtur të shoh disa partnerë të mbledhur këtu në mbështetje të luftës sonë të përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm, sepse ajo është pikërisht kështu, një përpjekje e përbashkët. Pjesëmarrja jonë sot tregon se ne qëndrojmë së bashku, mbështesim njëri-tjetrin, të gjitha për të forcuar qëllimin tonë të përbashkët për të parandaluar dhe kundërvepruar ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.
“Ekstremizmi i dhunshëm prek të gjithë shoqërinë, dhe bashkëpunimi i ngushtë midis qeverisë dhe shoqërisë civile është thelbësor për t’iu kundërvënë kërcënimeve dhe për të parandaluar grupet e dhunshme ekstremiste nga radikalizimi, rekrutimi dhe frymëzimi i të tjerëve për dhunë”.
Po ashtu, Zëvendës Ambasadori në Detyrë dhe Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane, Brian Beckmann tha se “në vitin 2019, Departamenti i Shtetit, përmes Ambasadës Amerikane në Tiranë, mbështeti krijimin e Qendrës së parë Kombëtare Telefonike me Informacion për Ekstremizmin e Dhunshëm.
“Kjo Qendër tani do të ofrojë edhe këshillim, informacion dhe mbështetje për individët dhe komunitetet në rrezik të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ajo do të sigurojë një hapësirë të sigurt, ku rrjetet kryesore mbështetëse të njerëzve, përfshirë familjet, miqtë dhe të njohurit, mund të gjejnë informacion dhe këshilla mbi rolin që ata mund të luajnë duke ndihmuar dikë të shmangë pjesëmarrjen në ekstremizmin e dhunshëm”, tha ai.
Kushdo mund të telefonojë Linjën Telefonike Kombëtare për Ekstremizmin e Dhunshëm, nëse: Ndiheni i paqartë, i painformuar ose i rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm;Një familjar është në proces radikalizimi dhe ju nuk dini si të veproni;Njihni dikë që mendoni se është në proces radikalizimi dhe mund të ketë nevojë për ndihmë dhe orientim;Jeni të shqetësuar për ndikimin e ekstremizmit të dhunshëm tek fëmijët tuaj dhe keni nevojë për këshillim. Shihni se fëmijët apo të afërmit tuaj navigojnë në faqe me përmbajtje ekstremiste; Jeni profesionist në fushën e edukimit dhe keni nevojë për ndihmë më të specializuar për të trajtuar me nxënësit fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm;Jeni psikolog në shkolla, mësues apo çdo profesionist tjetër që dalloni tipare të ekstremizmit të dhunshëm tek një nga nxënësit;Jeni anëtar i këshillit të sigurisë vendore në lokalitetin tuaj. Jeni aktivist i shoqërisë civile dhe gjatë punës tuaj në komunitet vëreni elemente të ekstremizmit të dhunshëm tek individë të caktuar; Keni nevojë për çdo lloj informacioni dhe bashkëpunimi në lidhje me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.