ATSH/ Në Shkodër vijon puna për lirimin e hapësirave duke i hapur rrugë ndërtimit të qendrës së re të integruar të informacionit turistik.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet për lirimin e hapësirave.
“Kjo qendër do të modernizojë shërbimet për vizitorët dhe do të forcojë zhvillimin e turizmit në qytet. Ky është një tjetër hap drejt një Shkodre më të organizuar, më mikpritëse dhe më tërheqëse për të gjithë”, shkruan Rama.
Qendra do të ofrojë informacion të detajuar mbi atraksionet turistike, itineraret, aktivitetet kulturore, trashëgiminë historike, strukturat akomoduese dhe shërbimet që ofrohen në territor. Ajo do të shërbejë si një portë hyrëse për turistët që duan të eksplorojnë jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe destinacionet natyrore të veriut të vendit, përfshirë zonat malore dhe liqenore.
Përmes këtij modeli të ri informacioni, synohet të rritet cilësia e pritjes së turistëve dhe të promovohet më tej oferta e larmishme e rajonit të Shkodrës, nga turizmi kulturor dhe historik deri te ai natyror dhe aventuror.
Krijimi i kësaj qendre vjen në një periudhë kur Shkodra po konsolidon gjithnjë e më shumë profilin e saj si një destinacion i rëndësishëm turistik në veri të Shqipërisë, duke tërhequr vizitorë të interesuar për historinë, kulturën, natyrën dhe traditat lokale.
/k.s/a.f/



























