Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, gjatë një takimi me studentët në Elbasan i kushtoi një fokus të veçantë “Drejtësisë së re”.

Balla në fjalën e tij tha se kreu i PD, Lulzim Basha sa herë thirrej në gjykatë për 230 milion euro dëm që i kishte shkaktuar shtetit, udhëtonte jashtë vendit.

Sipas numrit dy të PS, Basha duke shmangur paraqitjen në Prokurori arriti t’i shpëtojë procesit të hetimit.

“Ky person për t’iu shmangur përballjes me Prokurorinë çdo ditë sa herë thirrej për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje, atë ditë i hipte avionit në orën 04:00 të mëngjesit dhe largohej diku në një qytet të Europës, sikur kishte një vizitë jashtë Shqipërisë. Me këtë procedurë 15 herë radhazi arriti ti shmangej 15 muaj me radhë”, deklaroi Balla.

Kjo sipas tij e bën Bashën njëlloj si të gjithë personat që janë në kërkim nga Policia.
“Ky njeri i shpëtoi procesit sepse duke iu shmangur mbaroi afati i hetimit. Këta nuk kanë asnjë lloj ndryshimi me ata që janë në kërkim nga policia”, shtoi më tej.

Në lidhje me ketë çështje Balla u shpreh se ka fakte dhe një ditë do i shfaqë ato.

Deklarata e plotë:
Lulzim Basha i cili bën sikur ka zbritur dje nga qielli i shtatë, ishte një person që ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare si një person që me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milion euro, as më shumë as më pak. Një shifër kjo disa herë më e madhe se sa na duhet për të blerë vaksinat sot. Ky person për t’iu shmangur përballjes me Prokurorinë çdo ditë sa herë thirrej për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje, atë ditë i hipte avionit në orën 04:00 të mëngjesit dhe largohej diku në një qytet të Europës, sikur kishte një vizitë jashtë Shqipërisë. Me këtë procedurë 15 herë radhazi arriti ti shmangej 15 muaj me radhë. Kur nuk kishte avion merrte tek doktori recetën e ilaçeve dhe 3 ditë pushim se ishte me temperaturë. Ky njeri i shpëtoi procesit sepse duke iu shmangur mbaroi afati i hetimit. Këta nuk kanë asnjë lloj ndryshimi me ata që janë në kërkim nga policia.