ATSH/- Maliqi është një ndër bashkitë e tjera të vendit që ka rritur aksesin në ujitjen e tokave bujqësore krahas Fierit, Korçës, Beratit etj, që kanë qasje më të lartë në vaditje respektivisht me mbi 85% të totalit të tokës bujqësore që kanë në dispozicion.
Investimet e reja në infrastrukturën vaditëse dhe pastrimi i kanaleve kulluese ka mundësuar që sezoni i vaditjes në tokat bujqësore të fillojë në kohë dhe ujitja e tokave bujqësore po vazhdon me ritme normale.
Janë mbi 500 hektarë tokë bujqësore në bashkinë e Maliqit, që janë rifutur në procesin e vaditjes sistematike ndërkohë që fermerët po zgjerojnë interesin për vaditje me pika sipas teknologjive bashkëkohore.
Për këtë vit buxheti i shtetit për bujqësinë, ka adresuar peshën më të madhe të financimit në sistemin e ujitjes dhe kullimit, me impakt rritjen në 76% të numrit të fermerëve që përfitojnë nga infrastruktura ujitëse kundrejt 70,3% që shënoi në vitin 2019 ky tregues. e.xh//a.a/