ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi nga afër procesin e vaksinimit në Arenën Kombëtare, ndërsa theksoi se “vaksinimi mbetet thelbësor në kushtet e përballjes me variantet e reja, siç është Omicron, që ka rritur shqetësimin në të gjitha vendet”.

“Në Tiranë e kudo fokusi duhet të jetë te të rinjtë te grupmosha +16 vjeç, pasi siç shihet dhe në vendet e tjera të botës target është tek të rintjë”, tha Manastirliu.

Ne, vijoi Manastirliu, duhet që të mundohemi dhe duke bërë sa më shumë apel për vaksinimin e të rinjve, duke shkuar në shkolla, në universitete dhe gjimnaze në mënyrë që fushatat të jetë sa më interaktive, pasi vaksinimi duhet të ketë gjithëpërfshirje, të komunitetit, të grupeve, të cilat janë të rrezikuara dhe atyre të parrrezikuara.

Ministrja Manastirliu theksoi se “edhe tani me variantin e ri ende ka shumë të dhëna që priten dhe në javët në vijim institucionet ndërkombëtare do të japin më shumë të dhëna për variantin e ri, por ajo që kërkohet nga të gjithë është vaksinimi”.

Sipas saj, sa më shumë të vaksinuar të jemi aq më pak variante të reja do të lejojmë që të përhapen.

“Ne duhet që të zbatojmë dhe masat aktuale, siç është vaksinimi, maskat në ambientet e mbyllura, distanca sociale dhe higjiena. Nuk duhet që të bëjmë panik, por ne po analizojmë zbatimin e masave dhe duke pasur parasysh dinamikën e situatës dhe do të marrim dhe masat e nevojshme, për të vlerësuar hap pas hapi vendimet në të ardhmen”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “vaksinimi është kyç duhet të vazhdojë me ritme të larta. Deri tani janë kryer më se 2 milionë e 100 mijë vaksinime, ndërsa me dozën e tretë janë vaksinuar 75 mijë qytetarë”.

“Doza e tretë duhet të vijojë dhe me ritme të shpejta, duhet të rrisim shtrirjen vaksinale për dozën e parë”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/