Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, deklaroi sot se teza e provimeve të Maturës do të përmbajë pyetje me zhvillim dhe alternativa. Në një intervistë televizive, duke folur për procesin e provimeve të maturantëve, ministrja Kushi theksoi se “Komiteti i Maturës Shtetërore ka hartuar rregulloren që është publikuar në faqen e Ministrisë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore”.
“Ne këtë vit kemi disa risi, ndryshe nga viti i kaluar. Kemi përfshirë edhe pyetjet, që kërkojnë zhvillim në përgjigje, sepse vitin e kaluar kishim vetëm pyetje me alternativa. Por këtë vit pas diskutimeve dhe konsultimeve që zhvilluam edhe me maturantët dhe ekspertët e arsimit vendosëm që të kemi pyetje me zhvillim dhe me alternativë, sepse kjo është mënyra për ta vlerësuar drejt secilin nga maturantët”, theksoi ajo.
Ministrja Kushi u shpreh se, “maturantët janë në një moment kritik për të ardhmen e tyre dhe për këtë arsye ne kur kemi vendosur zbatimin e skenarit të kombinuar vendosëm që maturantët ta kryejnë mësimin në shkollë, me përjashtim në disa bashki ku rreziku është shumë i madh ku prioritet është jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe familjarve të tyre”.
Sipas saj, është plotësuar cikli i kurrikulës së bazuar në kompetenca dhe vitin e kaluar ishte viti i parë që u plotësua ky cikël në gjithë arsimin parauniversitar, kështu që edhe hartimi i tezave dhe struktura bazohen në këtë kurrikul të re, që tashmë zbatohet kudo.
“Pyetjet nga 60 në total, 20 janë me alternativa dhe 40 janë pyetje me zhvillim. Pragu i kalueshmërisë është 25 % dhe maturnatët janë familjarizuar me këtë prag. Po punojmë intensivisht që edhe rezultatet e provimeve të shpallen në një kohë të shpejtë, duke marrë në konsideratë që një pjesë e maturantëve duan të studiojnë në universitete jashtë vendit. Brenda 5 korrikut, maturantët do t’i kenë diplomat e tyre, ndërkohë që brenda 30 qershorit të gjitha rezultatet do të jenë të shpallura”, theksoi ministrja Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se, “ne si Ministri dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniveristar, zyrat arsimore, drejtuesit e shkollave janë porositur që të jenë në dispozicion të maturantëve për cdo pyetje, mbështetje qoftë për kurse, konsultime e gjithçka tjetër”.
“Kam besim që maturantët do ia dalin. Bashkëpunimi dhe mbështetja ndaj tyre nuk do të mungojë, kuptohet që kanë frikë apo pasiguri, por besoj se do ia dalin”, – tha Kushi.