TIRANË, 19 qershor/ATSH/Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nora Guga, tha sot se “testi për Maturën Shtetërore diferencon formimin që ka nxënësi, por edhe problematika dolën. Testi në kushte pandemie u bë me alternativa. Sigurisht që nuk është më i miri i mundshëm, por e rëndësishme është që në një test të mos kemi dalje jashtë programi”.

Në një intervistë televizive, Guga tha se “në momentin që do të bëhej Matura Shtetërore, prioritet është të ruhet standardi, duke pasur një monitorim të besueshëm”.

Sipas saj, testet patjetër do t’i përmbaheshin standardit.

Duke u ndalur tek testi i Gjuhë-Letërsisë për të cilin pati edhe protesta nga ana e maturantëve, Guga theksoi se “i kam dëgjuar dhe ftuar maturantët që të diskutojmë mbi argumente. Një nga reflektimet që Ministria e Arsimit bëri, ishte kohëzgjatja e testit. Kërkesat e tyre janë ballafaquar me mësues specialistë dhe për çdo pretendim të nxënësve ka dalë një përgjigje argumentuese”.

“Në një nga pyetjet e testit ishte vënë sqarimi që ky tekst është më gabime drejtshkrimore pyetja ishte e tillë për tu rregulluar nga nxënësit dhe ndoshta ata e kanë marrë të mirëqenë”, – shtoi Guga.

Zv/ministrja sqaroi se “ndoshta sjellja dhe qasja e ndërtimit të pyetjeve mund t’i ketë konfuzuar nxënësit, por testi nuk ishte i vështirë”.

Lidhur me hartimin e testeve Guga tha se “QSHA me specialistët e saj dhe bashkëpunëtorët e jashtëm punon shumë gjatë për hartimin e një testi. Në bëjmë një punë paraprake, pasi sigurojmë fondin e pyetjeve dhe për këtë janë jo vetëm specialistët e QSHA-së por edhe bashkëpunëtorë të jashtëm, mësues shumë të mirë, specialistë të të gjitha fushave dhe lëndëve përkatëse që e furnizojnë QSHA-në me ushtrime sa i përket të gjitha niveleve duke respektuar atë rregull që kanë bashkëpunëtorët për të sjellë dhe për ta ushqyer QSHA me këto ushtrime,. Kjo nuk ishte një punë që mund të bëhej sot për sot, meqënëse ndodhi i vështirë njëri test ai i gjuhës shqipe dhe le ta lehtësojmë tek matematika”.

Ky test, shtoi ajo, ishte një punë e bërë në vazhdimësi dhe ishte i mbyllur , pasi të gjitha këto nuk bëhen sot për sot, pasi kanë procesin e tyre kohor.

“Në këto provime ishin 32 mijë maturantë korrigjimi i testit është elektronik kjo na mundëson një kohë më të shpejtë për korrigjimin e tyre. Mendojmë që në fundjave mund të dalin notat e gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe dhe letërsisë. Në vazhdim të ditëve të javës tjetër do të dalin përgjigjet e matematikës dhe lëndëve me zgjedhje. Korrigjimi patjetër do të shpallet , do të publikohen notat e nxënësve, ndërkohë që QSHA bashkë me institucionet e shkollës do të vazhdojnë procesin e tyre që do të dalin me dokumente që nxënësit pajisen në fund ka të bëjë me dëftesën e notave të tre viteve dhe diplomën”, – nënvizoi zv/ministrja.

Nëse do të pajisen shpejt maturantët me diplomën, pasi disa prej tyre kanë aplikuar në shkolla jashtë vendit, Guga tha se “QSHA për këtë fashë të maturantëve që ajo i ka të listuar dhe me shkolla përkatëse dhe sipas qyteteve ku ato janë do ët bëjë të mundur që në 1 korrik diploma e tyre të jetë edhe certifikata e nxjerrë nga shkolla, në mënyrë që ata të mos pengohen për të kapur afatet e regjistrimit në shkollat jashtë vendit”.

Sipas saj, digjitalizimi në arsim është një nga prioritetet e Ministrisë Arsimore.

“Mësimi online në këto kushte pandemie nuk ishte gjëja më e mirë. Kjo ishte mundësia për ti mbajtur nxënësit më afër dijes”, u shpreh Guga.

 

ATSH