Në aeroportin “Nënë Tereza” mbërritën mbrëmjen e sotme 40,800 doza të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax.

“Mbërrijnë 40,800 doza të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax, teksa presim mbi 250,000 vaksina në ditët në vijim, për ta rritur më tej ritmin e lartë të vaksinimit dhe për të përqafuar jetën, diellin e detin, në sezonin e ri turistik”, shprehet Rama.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj pritën vaksinat në aeroport.

Sipas ministres Manastirliu, deri në fund të muajit prill do të kenë mbërritur në vendin tonë 700 mijë doza vaksinash, si dhe do të bëhet e mundur vaksinimi i 500 mijë qytetarëve deri në fund të muajit maj.

“Qeveria shqiptare ka parapaguar 1 milion e 140 mijë doza vaksinash. Dozat e sotme do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë për të vijuar vaksinimin e popullatës plus 60 vjeç si dhe ato grupe të riskuara”, tha Manastirliu.

Sipas saj, ne kemi siguruar deri mbi 400 mijë doza vaksinash dhe kemi vaksinuar mbi 300 mijë qytetarë.

“Do të vijojmë me këtë proces deri sa qytetari i fundit të jetë vaksinuar, pasi jeta e qytetarëve është e para”, tha ajo

Ministrja tha se duke nisur nga nesër presim doza të tjera vaksinash. “Nesër do të mbërrijnë edhe 50 mijë doza vaksinash nga AstraZeneca, Të hënën mbërrijnë mbi 200 mijë dozash të tjera vaksinash dhe 8120 vaksina Pfizer. Deri në fund të prillit presim të kemi kaluar rreth 700 mijë vaksina dhe 500 mijë qytetarë të vaksinuar”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj tha se në ditët që vijnë do të kemi edhe më shumë prurje vaksinash dhe do të vijohet me vaksinimin e dy kategorive, atë të transportit të udhëtarëve dhe punonjësve të fasonerive.

“Ne po e mundim pandeminë por kujdesi duhet të vazhdojë. Qytetarët e kanë dëgjuar çfarë po ndodh në vendet e rajonit, ndërsa në Shqipëri po bëhet vaksinim masiv”, tha ai.